Moti

Të paktën dymijë serbë marshuan dje në Beograd, para Ambasadës Ruse, në shenjë proteste kundër një bashkëpunimi të ri me NATO-n dhe vdekjes së dy pengjeve serbe gjatë një sulmi ajror të SHBA-ve mbi Libi.

Protesta është organizuar nga lëvizjet ultrakonservative dhe nacionaliste “Zavet” dhe Obraz”. Protestuesit marshuan në mënyrë paqësore, duke shpalosur portrete të presidentit Vladimir Putin dhe pankarta në mbështetje të tij dhe kryeministrit rus Medvedev.
Pasi kanë marshuar pranë ndërtesave të dëmtuara nga sulmet e NATO-s në vitin 1999 (në kohën e luftës së Kosovës), turma është ndalur para Ambasadës Ruse, ku drejtuesit e saj mbajtën fjalime, me anë të të cilave i drejtoheshin Rusisë të ndërhyjë.

Protesta erdhi një ditë pasi qeveria serbe firmosi një marrëveshje me NATO-n, e cila u jep trupave të aleancës ushtarake imunitet diplomatik dhe mundësinë e lëvizjes së lirë brenda vendit.
“Marrëveshja me NATO-n është në kundërshtim me vullnetin e popullit serb dhe Kushtetutën e vendit. Ajo i jep mundësinë NATO-s të përdorë infrastrukturën tonë dhe ushtarëve të saj të enden si të duan brenda kufijve të vendit”, thanë organizatorët.

Çështja e NATO-s ka sensibilitet të lartë në Serbi, në një kohë kur trupa të saj janë ende në Kosovë, që prej luftës së vitit 1999. Në protestë nuk munguan edhe parulla të tipit “Kosova është Serbi”.
Ndërsa kryeministri Aleksandar Vuçiç, ish-ministër në kohën e Millosheviçit, e ka mbrojtur vendimin e qeverisë së tij për të bashkëpunuar me NATO-n. Kritikët e këtij vendimi, ai i cilëson si “njerëz që u ka mbetur mentaliteti në shekullin XVII”. Ai thotë se “Serbia ruan sovranitetin e saj dhe dëshiron të bashkëpunojë edhe me NATO-n, edhe me Federatën Ruse”.

Kundërshtimi i marrëveshjes me NATO-n zbriti edhe në stadiumin e Beogradit. Gjatë një ndeshjeje, tifozët kënduan këngë dhe hodhën parulla si “… pakti me NATO-n” dhe “Kosova, zemra e Serbisë”.
 
Top