Moti

​Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në një konferencë të jashtëzakonshme ka treguar për arrestimin e 59 zyrtarëve policorë të dyshuar për përfitim të ryshfetit gjatë kryerjes së detyrës së tyre zyrtare. Për të njejtit nga ana e Inspektoriatit Policor është kërkuar suspendimi i tyre.

Kryeshefi ekzekutiv i IPK'së, Hilmi Mehmeti ka thënë se hetimet rreth kësaj çështjeje kanë zgjatur 4 muaj.

Sipas tij, 59 zyrtarë policorë janë ndaluar dhe janë dërguar në qendrat e mbajtjes, prej tyre 20 të Njësisë së Autostradave, 20 nga Njësiti i Trafikut në veri të Mitrovicës, 15 nga njësiti jug i Mitrovicës si dhe 4 të njësisë së Prizrenit

“Pas informatave se disa pjesëtarë të Policisë po marrin ryshfet nga qytetarët, Prokuroria e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit kanë ndërmarrë hetime prej 4 muajve. Sot janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve 59 zyrtarë policor. Të njëjtit janë ndalur, si dhe është kërkuar suspendimi i tyre nga puna”, citon Gazeta Express, kryeshefin Mehmeti. 

Ai tregoi se edhe për nacionalitetin e Policëve të arrestuar. 

“35 prej tyre janë shqiptarë, 23 serb si dhe 1 boshnjak”, tha ai, duke shtuar tutje se IPK do të deponoi në Prokurorinë e Shtetit kallëzim penal për të gjithë policët e arrestuar dhe, po ashtu, ndaj 30 qytetarëve që dyshohet se dhanë ryshfetin. 

Nga ana tjetër, Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqëri Syla, ka thënë se komuna e Mitrovicës ka pësuar më së shumti nga ky aksion, shkruan Gazeta Express. 

“Kurdoherë që kemi informacione prokuroria e shtetit do të veprojë në këtë mënyrë. Më vjen keq që një numër kaq i madh i policëve të përfshirë janë nga komuna e Mitrovicës që tronditur më së shumti nga ky aksion. Kemi 20 zyrtarë në veri si dhe 15 zyrtarë në jug', ka thënë ai.

Tutje, ai tha se nuk e di vlerën e saktë se sa është dëmtuar buxheti i Kosovës nga ky ryshfet, dhe bëri të ditur se të gjithë policët e arrestuar në Mitrovicë janë të njësisë së trafikut. 

 
Top