Moti


Lidhja Demokratike e Kosovës ka vazhduar këtë të diel fushatën në komunën lindore të Kamenicës.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa bashkë me kryetarin aktual dhe kandidatin për kryetar, Shaip Surdulli kanë takuar kryesisht të rinj të kësaj komune, njofton Klan Kosova.
Mustafa ka treguar se një pjesë e madhe e kandidatëve për asamble në Kamenicë i takojnë gjeneratës së re.
“LDK u angazhua që nga themelimi i saj për liri, pavarësi dhe demokraci. Dy të para i arritëm ndërsa tani së bashku me rini do ta zhvillojmë demokracinë”, ka thënë Mustafa.
“Do të kemi një demokraci të mirëfilltë dhe një rini të suksesshme atëherë edhe kur të integrohemi edhe në BE”, ka shtuar ai.
Nga Kamenica, Mustafa është përkujdesur edhe për të thumbuar kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar në këtë komunë, Qëndron Kastrati.
“Ju duhet të votoni çdo person që banon në Kamenicë dhe jo ata që nuk jetojnë këtu, por që synojnë të marrin pozita”, ka thënë ai.
Por ndryshe ka folur për bashkëpartiakun e tij.
“Shaip Surdulli sa kam qenë kryeministër, asnjë herë nuk ka ardhur të më kërkojë diçka për komunën, por ka qëndruar dhe ka punuar vet këtu”.
Kurse Shaip Surdulli ka prezantuar pika nga plani i tij, ku thana se një hapësirë e madhe do t’i kushtohet rinisë.
Ai ka thënë se do të investojnë në sport, të ndihmojnë ekipet e futbollit dhe të aktivizojnë ato që janë shuar.
Surdulli ka thënë se do ta japin edhe bursa për të rinj kurse ka thënë se objekti i vjetër i komunës do të përdoret vetëm nga të rinjtë, për ndonjë ide apo biznes.
 
Top