Moti

Gjendja sociale në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë për shumë familje skamnore të cilat në këtë mot të ftohtë po jetojnë në kushte të rënda ekonomike.

Trembëdhjetë familjeve që jetojnë në kontejnerë në lagjen “Fusha e Pajtimit”, për çdo ditë ballafaqohen me varfërinë ekstreme.

Madje këta për çdo ditë po ballafaqohen me të ftohtin që po mbretëron ditëve të fundit. Disa nga to nuk po kanë as bukë të mjaftueshme për të ngrënë.

Por, gjendja e tyre ditëve të fundit është vështirësuar edhe më shumë, pasi që KEDS-i i ka shkyqur nga rrjeti i energjisë elektrike.

Nizaqete Salihu së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj jeton në njërin prej kontejnerëve të metaltë në këtë lagje. Sipas saj, kushtet në këtë lagje janë tejet të rënda dhe të papërballueshme. Sipas saj deri më tash askush prej Qeverisë së Kosovës nuk është interesuar për ta.

Ajo ka treguar se bashkëshorti i saj punon si sigurim në një kompani, ku merr një pagë minimale dhe nga ato pak para këta ajo thotë se nuk munden që ta sigurojnë as kafshatën e gojës deri në fund të muajit.

Ajo më tej tregon se që 14 vite që nga mbarimi i luftës, jeta e tyre ka kaluar nëpër këso lloj kontejnerësh.

Ajo thotë se menjëherë pas përfundimit të luftës ata kanë jetuar në disa kontejnerë të cilët kanë qenë në lagjen “Bregu i Dellit” në Prishtinë.

“Ka ditë që nuk kam as çka të përgatiti për të ngrënë. Nuk më dhimbset vetja ime e as bashkëshorti im , mirëpo e kam dertin më të madh tek djali i cili është duke u rritur dhe nuk mundem dot ta shikoj në atë gjendje”, ka thënë ajo.

Salihu thotë se deri më tani është ndihmuar kohë pas kohe nga njerëz shpirtmirë siç i ka quajtur ajo, mirëpo edhe gjërat çka u kanë sjellë kësaj familje, iu kanë prishur, ngase nuk kanë pasur se ku t’i mbajnë. Kjo familje, sikurse edhe dymbëdhjetë të tjera, ka kohë që ballafaqohen me të njëjtin problem, varfërinë, që kohëve të fundit ata shprehen skeptikë se do të zgjidhet kjo situatë për ta.

Shpresa e fundit e tyre janë vetëm lutjet tek zoti. Ajo thotë se Komuna e Prishtinës para pak ditësh ua ka sjellë një metër dru, por sipas saj kjo sasi po shpenzohet vetëm për pesë ditë.

“Komuna na ka sjellë një metër dru. Mirëpo, një metër dru nuk mjafton sepse këtu nuk ka vend që nuk ka ndonjë vrimë nga e cila hyn të ftohtit”, ka thënë ajo.

Salihut gjithmonë i shkon mendja të djali i saj i cili është nxënës shumë i mirë në shkollë.

“Fëmija është në shkollë dhe ai mëson shumë, është nxënës shumë i mirë. Kushtet nëpër të cilat ne jetojmë janë ekstremisht të këqija. Nuk kemi as rrymë që është shumë e rëndësishme.

Asgjë nuk do të doja vetëm të kisha një shtëpi në të cilën do të mund të rrija dhe të flejmë qetë ngase këtu kamë frikë se nga era e fortë që fryn mund ta rrëzojë këtë kontejner që ne e kemi shndërruar si shtëpi”, ka thënë ajo.

Sipas saj, të gjithë shokët dhe shoqet e tij jetojnë me kushte normale, madje sipas saj ata kanë një shtëpi në të cilën nuk e kanë ftohtë.

Ndërkaq, një familje po ashtu e cila jeton në kontejnerë si këta të fundit është edhe ajo e Mejreme Ramadanit.

Ajo ka treguar se ka qe shtatë vjet që jetojnë në kontejnerë e cila rënkon nga sëmundja e kancerit dhe ka një sëmundje tjetër.

Kjo e moshuar tregon se përpos të ardhurat që marrin nga pensioni i bashkëshortit të saj, asnjëherë Qeveria e Kosovës nuk u ka ndihmuar me ndonjë ndihmë tjetër.

“Vetëm me 80 euro të bashkëshortit tim që merr pension jetojmë. Për më shumë se 40 euro në muaj vetëm për barna i harxhoj ”ka thënë ajo./Resmije Balazhi/Zëri
 
Top