| Foto: Laura Hasani |
Vjedhjet dhe evazioni në Shqipëri llogaritet të jetë rreth 52 milionë euro. Ndërkaq, në vendin tonë rreth 3 milionë euro.
Ndërkaq, kjo nuk është shuma finale, pasi që viktimat e kompanisë po shtohen çdo ditë.
Mijëra qytetarë që kanë rënë viktimë e aviokompanisë “Belle Air”, tashmë po injorohen nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Infrastrukturës(MI), ku kësaj të fundit qytetarë të shumtë i janë drejtuar me kërkesa për kompensim të avio-biletave që ata kanë paguar qysh gjatë kohës së verës.
Durim Berisha është njëri nga viktimat e shumta që përmes postës elektronike ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës kompensim të biletës të cilën ai nuk ka mundur ta shfrytëzojë për shkak të falimentimit të kompanisë.
Ai thotë se biletën e ka paguar hiç më pak se 320 euro, të cilën tashmë askush nuk po ia kompenson. “Në ministri jam ankuar të hënën (realisht e-mailin e kam dërguar të dielën ne mbrëmje, mirëpo afati i pranimit fillon në ora 8:00 të ditës se hëne). Ne e-malin i cili gjendet në ueb-faqen e Ministrisë. Kur e kam dërguar e-mailin më është kthyer përgjigje elektronike nga domaini, ku më njofton se ajo adresë nuk ekziston, prandaj të njëjtën letër e kam drejtuar në e-mail adresën mi.info@rks-gov.net. Mirëpo, deri me sot asnjë përgjigje nuk kam marrë”, thotë ai për gazetën “Zëri”.
Në e-mailin e dërguar Berisha kërkon ndihmë nga Ministria për kompensimin e parave për biletën e pashfrytëzuar. “Jam Durim Berisha, student i magjistraturës në Universitetin Konstanz në Gjermani. Besoj se nga subjekti i letrës e kuptoni se ankesa ime ka të bëjë me rastin e fundit të dorëzimit të kërkesës për falimentim nga kompania ‘Belle Air Europe’.(E them dorëzimit të kërkesës, pasi procedura e falimentimit mund të fillohet vetëm pas aprovimit nga gjykata kompetente). Ndonëse 1 ditë para mbylljes se kësaj kompanie ne Prishtine, Nuhi Gashi e ka blerë biletën për mua, personalisht ka shkuar në zyrat e tyre që të pyesë nëse ka ndryshime, por zyrtarë të kësaj kompanie e kanë siguruar se nuk do të ketë anulim të fluturimeve dhe se nuk ka arsye për shqetësim”thuhet në letër.
Mirëpo, ai thotë se befasisht ditën e nesërme, përmes mediave është njoftuar për mbylljen e kësaj kompanie. Ai thotë se menjëherë ka kontaktuar kompaninë "Darwin Airlines" pasi fluturimi ishte i tyre, por këta të fundit i kanë thënë Berishës se përgjegjës mbetet agjencia ku është blerë bileta, pasi bileta ishte paguar me para "cash" në dorë. “Andaj ju lus të më ndihmoni në kompensimin e të hollave që kam paguar unë”thuhet në kërkesën e drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës. Por, në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës po injorojnë kërkesat e viktimave të “Belle Air”.
Të enjten ministri Fehmi Mujota nuk ka qenë në gjendje të flas për këtë çështje, pasi që ka qenë pjesë e negociatave që po mbahen në Bruksel.
Ndërkaq, Ismail Berisha, u.d. drejtor i Departamentit te Aviacionit Civil gjatë gjithë ditës së enjte nuk është përgjigjur në numrin e tij zyrtar.
Por, Berisha ditë më parë ka thënë për gazetën “Zëri” se Ministria nuk i kompenson këta pasagjerë, por sipas tij kjo i takon ta bëjë aviokompanisë.
“Ministria nuk i kompenson, ekziston rregullorja e cila tregon se kush do t’i kompensoj. Por, avio kompani ka marr përsipër të gjitha obligimet që ushtarët do t’i dërgoj në destinacionet për ku kanë prenotu biletën”, ka thënë Berisha.
Ai madje ka shtuar se nëse “Belle Air Europe” nuk i kryen këto obligime për rimbursim, ministra do të iniciojë procedurë.
“Konform legjislacionit ne i drejtohemi autoritetit dhe nëse ‘Belle Air Europe’ nuk përgjigjet as ministrisë atëherë do të merren masa”, ka thënë Berisha pa treguar se për çfarë masash bëhet fjalë.
51,7 milionë euro vjedhje e evazion
Të enjten mediat në Shqipëri kanë raportuar se kompania e posafalimentuar "Belle Air" do të kalojë në një hetim intensiv nga ana e qeverisë shqiptare, për evazion fiskal dhe mashtrim të qytetarëve. Tre prej ministrave më kryesorë të qeverisë shqiptare, ai i Financave, i Ekonomisë dhe i Transporteve, ishin në sintoni në lidhje me hetimin rigoroz që duhet t'i bëhet aktivitetit të kompanisë "Belle Air", e cila sipas tyre ka kryer 51,7 milionë euro borxhe në total. Sipas raportimeve në komision “6 milionë euro janë taksa të papaguara, 10 milion euro detyrime bankash, pra kredi të pashlyera dhe 10 milionë e 400 mijë euro shuma e 52 mijë biletave që kjo kompani shiti në avancë gjatë falimentimit.
Shkëlqim Cani, Arben Ahmetaj dhe Edmond Haxhinasto të thirrur te enjten për të raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, deklaruan se do të jetë hetimi shtetëror ai që do të zbardhë se ku shkuan paratë e kompanisë.
"Në fund fare afërsisht ne shkojmë në një shumë prej 6 milionë euro dhe ka një pyetje dhe për këtë. Themi që kjo është një shoqëri që ka zhvilluar një aktivitet me një xhiro relativisht të lartë mbi 100 milionë euro në vit. Është pak e errët që mbetet përsëri një pikëpyetje për tu zgjidhur në kohë se të gjitha detyrimet që kjo shoqëri tregtare ka ndaj bankave, detyrime ndaj të tretave aeroporte etj si dhe detyrime ndaj buxhetit është 51,7 milionë euro. Kjo është një çështje mjaft për t'u vënë në dyshim si organe shtetërore nuk kanë bërë një analizë të gjendjes"ka thënë ministri Shkëlqim Cani.
Edhe ministri Ahmetaj ka bere te ditur se kompania ne fjale ka operuar me paratë e tatim paguesve në dëm të buxhetit të shtetit. "Për qytetarët që ndoshta nuk e dinë se çfarë do të thotë, kjo është një pagesë e drejtpërdrejtë që qytetarët bëjnë në çmimin e biletës prej 10 euro, e cila shkon në buxhet të shtetit drejtpërdrejt dhe kompania apo aeroporti janë agjentë të buxhetit të shtetit. Pra, një 10 euro e cila është paguar në kohë reale dhe nuk ka shkuar në buxhet të shtetit. Pra kompania në rastin konkret ka përdorur në operacionet e veta para të cilat i takojnë buxhetit të shtetit"- tha ministri Arben Ahmetaj.
Edhe ministri Haxhinasto ka bere te ditur se kompania ne fjale ka pasur një monopol ne territorin shqiptar. "Kemi një situatë thuajse monopoli në treg, mbi 50 % të tregut. Asnjë avion i kësaj kompanie nuk ishte regjistruar në Tiranë, që është kërkesë ligjore. Pra, ishte një favor i madh që i ishte bërë kësaj kompanie. Cilesia e operacioneve të saj linte shumë për të dëshiruar. Është kompania emblemë për mosrespektimin e sloteve dhe të orareve. Dhe emblemë presa i takon vonesave"- tha ministri Haxhinasto.
Shifrat e raportuara nga tre ministrat e linjës flisnin qartë për një favorizim që qeveria e kaluar i kishte bërë në 5 vite "BelleAir", sa që as opozita nuk ishte në gjendje t'i kontestonte. Duke folur në komision, ministria Arben Ahmetaj ka deklaruar se, “Belle Air” siguronte 3.5 milionë euro fitim në vit.
Sipas tij, kompania gjatë falimentimit shiti në avancë 52 mijë bileta. Ahmetaj tha se, deri në momentin e falimentit kompani kishte 53 për qind të tregut ajror. Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka deklaruar në komision se, kompanisë i ishte kërkuar që të mos priste bileta por ajo ka vazhduar. Ministri i Transporteve, tha se, qeveria kishte interes që të mos bllokonte kompaninë pasi kishte prerë 52 mijë bileta, ndërsa punësonte qindra njerëz. Sipas tij, kjo kompani nuk ka respektuar dhe nuk ka paguar asnjë detyrim aeroportual.
Borxhe miliona euro edhe në Kosovë
Kompania “Belle Air” në vazhdimësi ka krijuar probleme edhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e sidomos gjatë muajve të verës ku mijëra udhëtarë është dashur të presin me orë dhe ditë të tëra, pasi që kanë rënë viktimë e kësaj kompanie. Mirëpo, viktimë ka rënë edhe vetë Aeroporti, pasi që borxhi i kompanisë ndaj këtyre të fundit tejkalon shumën prej 500 mijë euro. Por, në muajin gusht në të dhënat që drejtori i Financave në ANP, Alpay Dogutepe, i kishte dhënë Partneriteti Publiko Privat dhe këta të fundit ia kanë dhënë gazetës “Zëri” shihet se aviokompania “Belle Air Europe” i ka borxh aeroportit mbi 500 mijë euro.
“Deri më sot, ne kemi vetëm 1 llogari të arkëtuar, e cila ekziston për më shumë se një muaj. Kompania ‘Belle Air Europe’ shënon borxhe të vonuara në shumën prej 521.560 euro, shumë e cila është deri në 30 ditë vonesë”, thuhet në e-mailin e Dogutepe-s, të cilin ua ka dërguar Partneriteti Publiko Privat. Në këtë e-mail Dogutepe arsyetohet se i kanë toleruar borxh vetëm aviokompanisë “Belle Air Europe” pasi që kjo e fundit po ka numër të madh të fluturimeve, dhe po i sjell fatura javore “Limak”-ut prej 150.000 euro Sipas tij, shuma prej 521 mijë euro ishte vetëm shuma e borxhit të vjetër që ka “Belle Air Europe”, para se të merrte me koncesion aeroportin “Limak and De Lyon”.
Nga koha kur është koncesionuar Aeroporti “Belle Air Europe” ka një shumë të papaguar prej 754.440,74 euro, kurse borxhin aktual e ka 415.232.63 euro, e që në total borxhi i “Belle Air Europe”, borxh ndaj Aeroportit, është 1.169.673.37 euro. Por, në këtë shumë nuk hyn edhe borxhi prej 521 mijë euro që është krijuar para koncesionimit të Aeroporti
Operatorët që shërbyen për “Belle Air”
“Belle Air” është themeluar më 8 qershor 2005 në Tiranë, si linja e parë ajrore me çmime të ulëta, ku fluturimet i ka nisur rreth një viti më pas, duke e lidhur Tiranën me shtatë aeroportet kryesore të Italisë, ku më pas ka zgjeruar fluturimet edhe në 25 destinacione evropiane. Në ueb-faqen e kompanisë thuhet se qëllimi kryesor i “BelleAir” ka qenë dhe mbetet operimi me çmime të ulëta në Evropë sipas standardeve më të larta të sigurisë.
Më tej në faqe shkruan se kjo kompani ofron fluturime nga aeroporti i Tiranës në shumë aeroporte të Italisë, Greqisë, Anglisë, Belgjikës, Zvicrës, Gjermanisë, Francës dhe Kosovës. Pyetjeve të shumta të gazetës, pronari i “Belle Air”-it i është përgjigjur duke dërguar një letër me profil të kësaj kompanie. Sipas Ilir Xhelos, grupi “Belle Air” përbëhet nga “Belle Air Europe”, “Always Travel&Tours” dhe një agjenci nga Shqipëria.
Në faqen e “BelleAir Europe” thuhet se kjo kompani është krijuar më 2009 nga një projekt që përfshin edhe “Belle Air”-in. “Always Travel Tours”, kompania tjetër që është pjesë e grupit “Belle Air”, figuron në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara që për aktivitete ndër të tjera ka veprimtarinë e agjencive të udhëtimit, taksi-shërbime, hotele dhe motele, furnizim me ushqim të përgatitur, transport ajror jo të rregullt, publicitet (reklama dhe propagandë), sigurimin e jetesës, sigurinë publike dhe ruajtjen e rendit publik dhe qetësisë. Kjo kompani është krijuar më 2012 ndërsa pronar i saj është vetë Ilir Xhelo, sipas ARBK-së. Si person fizik figuron edhe Artan Abazi. Për të kryer shërbimet e shitjes së biletave, “Belle Air” ka angazhuar edhe agjenci të tjera turistike./Zëri