Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare ish-presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut dhe ikona e anti-Aparteidit, Nelson Mandela. Lajmi është konfirmuar nga presidenti aktual i vendit, Jacob Zuma, vetëm pak momente pasi ishin vënë re lëvizje të shumta të të afërmve dhe qeveritarëve të vendit pranë shtëpisë së tij.
Nëpërmjet një deklarate televizive në kanalin kombëtar të Afrikës së Jugut, presidenti Jacob Zuma tha se lideri i parë me ngjyrë i vendit dhe ikona e luftës kundër aparteidit ndërroi jetë në paqe.
“Kombi ynë humbi një nga djemtë e tij më të mëdhenj”, tha Zuma. “Ajo që e bëri Nelson Mandelën të madh ishte ekzaktësisht ajo që e bëri atë njerëzor. Ne pamë tek ai, atë që duam të shohim te vetvetja”, shtoi Zuma.
“Të dashur afrikano-jugorë, Nelson Mandela na bëri bashkë, ndaj dhe po së bashku do t’i japim atij lamtumirën”, iu drejtua presidenti aktual bashkëkombasve të tij.
Raportet e para pak minutave bënë të ditur se ishte rritur së tepërmi aktiviteti përreth shtëpisë së Nelson Mandela-s në Johannesburg, presidentit të parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut, i cili vuante prej kohësh nga një sëmudje e rëndë.
Anëtarë të familjes u mblodhën pranë tij, dy ditë pasi vajza më e madhe e Mandela-s bëri të ditur se ai ishte duke luftuar me kurajo, edhe pse gjendej në atë që e quajti “shtrati i vdekjes”.
Mandela kaloi afro 3 muaj i shtruar në spital, pas një infeksioni në mushkëri. 95-vjeçari udhëhoqi tranzicionin e Afrikës së Jugut nga regjimi i minoritetit të bardhë të viteve 1990, pasi kishte kaluar më parë 27 vjet në burg.
Korrespondenti i BBC-së, i cili gjendet jashtë shtëpisë së Mandela-s në periferinë e Johannesburgut, Houghton, ka thënë se u vu re një prani jo e zakonshme dhe e madhe e familjarëve e të afërmve të tij. Mes të pranishmëve ishte edhe më i vjetri i familjes, Bantu Holomisa.
Gjithashtu ishin vënë re një numër i madh mjetesh të qeverisë, gjatë mbrëmjes, të pranishme pranë shtëpisë së tij, bën të ditur korrespondenti.
Presidenca aktuale e Afrikës së Jugut e kishte përshkruar vazhdimisht gjendjen shëndetësore të Mandela-s si kritike, por të qendrueshme. Ai ka marrë përkujdesje intensive në shtëpinë e tij, që kur u nxor nga spitali në muajin shtator.
Mandela është vlerësuar me çmimin Nobel për Paqe në 1993, si dhe u zgjodh si president i Afrikës së Jugut, i pari me ngjyrë, në vitin 1994. Ai dha dorëheqjen vetëm pas 5 vjetësh në këtë post.
Nelson Mandela, vitet e mrekullive
27 prilli 1994 shënon momentin kulminant në jetën e Nelson Mandela, ditën kur Afrika e Jugut zhvilloi të parat zgjedhje të hapura për të gjithë shtetasit, pavarësisht nga raca e tyre.
Partia e tij, “Kongresi Kombëtar i Afrikës” mori pushtetin me 63% të votave. Partia Kombëtare e F.Ë. de Klerk mori vetëm 20%, ndërsa partia Inkatha 10%.
Në fjalimin e fitores së tij, Mandela u shpreh: “Tashmë është koha për të festuar, të gjithë afrikano-jugorët duhet të bëhen bashkë dhe të festojnë lindjen e demokracisë. Do të ngre një gotë për të gjithë ju, të cilët keni punuar shumë për të arritur atë, që mund të quhet vetëm një mrekulli e vogël”.
Shumica pranoi se ajo ishte një mrekulli, që nga liderët botërorë, e deri të votuesit e zakonshëm të Afrikës së Jugut, duke pasur në konsideratë trazirat dhe përçarjen e thellë racore në Afrikën e Jugut, vetëm pak vite më parë.
Dhembshuria dhe zgjuarsia politike e Mandelës ndihmuan për të sjellë këtë ndryshim. Por, mbi të gjitha, ishte pikërisht mungesa e plotë e zemërimit që ai shfaqi për 27 vitet e kaluara në burg, i dënuar nga regjimi i aparteidit, gjë që e bëri atë të fitonte në një komb të përçarë dhe të çudiste botën me lidershipin si burrë shteti të tij.
Mandela dhe qeveria e tij trashëguan një vend të shkatërruar prej dekadave të aparteidit, një politikë përçarëse dhe diskriminimi, që synonte të mbante njerëzit me ngjyrë dhe ata të bardhët veçmas në çdo fushë të jetës, aq sa shumica me ngjyrë e këtij vendi ishin vendosur para faktit se “të votonin nuk u garantonte atyre barazi sociale dhe ekonomike”.
Ai ndërmori iniciativa zhvillimi për strehim, edukim dhe përmirësim të ekonomisë, të gjitha të dizenjuara për të rritur standardet e jetesës së njerëzve me ngjyrë.
Ai la shenja gjithashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Gjatë presidencës së tij 5-vjeçare, ai priti 73 krerë shtetesh apo qeverish, ndërsa ndërmori 83 vizita jashtë vendit.
Mandela punoi për të sjellë paqen në kombet fqinje afrikane, përfshi Angolën dhe Republikën Demokratike të Kongos.
Ai u përfshi në rikthimin e rendit në Lesoto, pasi zgjedhjet e 1998-s në këtë vend shkaktuan trazira të rënda, duke çuar trupa ushtarakë nga Afrika e Jugut, të cilët stabilizuan situatën dhe krijuan klimën favorizuese për negociata.
Mandela udhëhoqi thirrjet për sanksione kundër Nigerisë, pas ekzekutimit në 1995 të shkrimtarit dhe aktivistit Ken Saro Ëiëa, si dhe një numri të tjerë të burgosurish politik.
Ai luajti gjithashtu një rol kryesues në zgjidhjen e ngërçit mes SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Libisë, në lidhje me sigurimin e dorëzimit të dy burrave, të akuzuar për shpërthimet e Lockerbie.
Por, Mandela shpesh herë pati një figurë të vetmuar gjatë udhëtimeve të tij, pasi martesa me të shoqen Ëinnie dështoi. Ata u divorcuan në 1996.
Ai e gjeti sërish dashurinë, pikërisht me Graca Machel, të venë e ish-presidentit të Mozambikut, Samora Machel. Ata u martuan në 80-vjetorin e tij, më 1998.
Në shtator të atij viti, ai u vlerësua në një ceremoni në Ëashington me Medaljen e Artë të Kongresit amerikan, duke u bërë i pari afrikan që merrte këtë nderim.
Presidenti Bill Clinton tha se Mandela e mori këtë medalje, jo vetëm për shkak të “10.000 ditëve të gjata” të kaluara në burg, por edhe për “shembullin e shkëlqyer” si një lider politik që prej lirimit të tij nga burgu.
3 vitet e fundit të presidencës së Mandelës ishin kryesisht në rolin e një burri të madh shteti, teksa gradualisht ai po dorëzonte qeverisjen e vendit tij, ditë pas dite, te zëvendësi i tij, Thabo Mbeki, i cili e pasoi në vitin 1999.
Në fjalimin e tij, në banketin e lamtumirës nga politika, Mandela iu referua sërish mrekullisë së Afrikës së Jugut.
“Afrikano-jugorët, nga cilido sektor, kanë arritur të dalin përtej përçarjeve të shekujve, duke shmangur një gjakderdhje, të cilën shumë vëzhgues e cilësonin si të pashmangshme, në mënyrë të atillë që tranzicioni u lavdërua gjerësisht si një mrekulli”, tha ai.
“Që prej atëherë, populli ynë ka ndëshkuar profetët e dënimeve. Kemi besim se ata do ta bëjnë diçka të tillë edhe në vazhdim”. /TCH