Moti

Esad Morina është model i një sportisti të dëshmuar në Kosovë dhe jashtë saj. Ai me punë ka arritur suksese të mëdha duke u kompletuar edhe me të gjitha licencat e lëshuara nga UEFA.

Ish-futbollisti i disa klubeve në Amerikë, Esad Morina, ka treguar për “Epokën e re” fillimet e para në sport, konkretisht në futboll. Hapat e parë Morina i ka marrë në vendlindje, në Kamenicë, për ta vazhduar karrierën edhe në Amerikë.

 Por, lëndimet e detyruan të largohet nga futbolli. “Isha tre-katërvjeçar kur fillova të luaj futboll. Fillimisht me vëllezërit dhe shokët e lagjes, më vonë isha pjesë edhe e ekipit të klasës dhe shkollës së KF Dardana në Kamenicë.

 Në shkollë të mesme kalova tek KF Drita nga Gjilani, ku aty vazhdova deri tek seniorët, pastaj erdha në Amerikë për t’i vazhduar studimet. Pozita ime ishte mesfushor dhe në Amerikë u inkuadrova në kuadër të ekipit të shkollës dhe lidha kontrate me klubin LV Pride për një vit. Pastaj kam luajtur edhe për LV Strikers, LV Knights dhe LV Legends. Në vitin 2009 e përfaqësova ekipin e Dinamo Zagrebit në futboll të vogël në garat internacionale që u mbajtën në Baltimore. Gjatë këtyre viteve lëndimet më përcjellën dhe pas dy operacioneve në ligamente të ndryshme në gjunjë dhe disa lëndime të tjera, u detyrova të largohem nga futbolli aktiv”, ka thënë Morina.

Pas pensionimit të “dhunshëm” nga futbolli, Morina e filloi punën e re, atë të trajnerit. “Fillimisht e fillova punën si trajner me moshat e reja 10 vjet (vajzat) dhe 16 vjet (meshkujt). Ne sezonin e ri punova me një grup të ri të moshës 7-8 vjet në mënyrë që të mbjell një filozofi krejt tjetër prej çfarë është bërë deri tani në Las Vegas. Tani këta djelmosha janë U12 dhe llogariten ndër ekipet më të mirë në Amerikë”, ka deklaruar Morina, lojtarët e të cilit janë kërkuar dhe transferuar në ekipe të mëdha në Holandë dhe vende të tjera.

Morina ka punuar edhe si trajner i femrave. Sukseset e tij kanë qenë të jashtëzakonshme. “Gjithashtu, prej moshës 15-18 vjet kam qenë edhe trajner i femrave. Me atë ekip arrita suksese të mëdha, duke fituar Kupën e shtetit dy herë dhe turnirë të ndryshëm. Shumica e lojtareve kanë fituar kontrata nga kolegjet e ndryshme amerikane. Laurena ende luan në Vanguard University, e cila ka pasur suksese të jashtëzakonshme”, ka treguar ai.


Esad Morina nuk u ndal me kaq dhe vazhdoi shkollimin për trajner. Ai i ka të gjitha licencat e UEFA-s dhe karakteristikë e gjithë kësaj është se është ndër trajnerët më të ri në moshë që i ka të gjitha licencat. “Jam munduar ta kthej veten në një trajner shumë të mirë dhe gjithnjë të edukohem sa më shumë. Fillova me edukimin në Federatën Amerikane, ku mora licencën D, C, B, A, për vetëm katër vjet, duke e kaluar çdo test pa asnjë problem.

Po ashtu, u inkuadrova me NSCAA, që është organizata më e madhe botërore për edukim të trajnerëve dhe mora Diplomën Premierë dhe Diplomën e Trajnerit te Avancuar. Pata fatin të lidhem edhe me Boltonit e Anglisë në 2011-2012-n, kur kreva nivelin dy dhe tre për ta kompletuar UEFA ‘B’. Me federatën angleze isha shumë i interesuar për të vazhduar edhe me UEFA ‘A’”, ka thënë Morina, duke shtuar se: “Në tetor të vitit 2013 aplikova dhe, pasi ata e panë CV-në time dhe sukseset që kisha me klubin dhe në të gjitha kurset, vendosën të më pranojnë.

Pasi i kreva të tri pjesët, më 19 janar të 2016-s pata sesion ndihmues në bazën ajrore britanike në Londër dhe finalen e pata më 21 janar në Saint George’s Park kundër një kandidati nga Spanja. Të dy patëm një stërvitje shumë të bukur, shumë të kënaqur për komisionin dhe në këtë mënyrë e kaluam testin final për UEFA ‘A’. Jam një ndër trajnerët më të ri në botë që kam arritur t’i kryej të gjitha licencat deri më tani”.

Esad Morina është i lidhur me disa nga ekipet angleze dhe amerikane, por për momentin është edhe në përfundim të kryerjes së projektit në klubin që e filloi Heat FC. Gjithashtu, ai është pjesë e organizatës SNSA që ka mbi 6 000 lojtarë aktivë në vjet dhe drejtor teknik për Heat FC që ka 1 000 lojtarë aktivë. “Kemi afër 70 ekipe nga mosha 7 deri 18 vjet. Gati se 50/50 me djem e ekipe të femrave. Programi ynë gjatë këtyre viteve ka produktuar lojtare që tani janë pjesë e klubeve të mëdha si LA Galaxy, Sounders, Salt Lake, universiteteve më të mëdha në Amerikë për kombëtaren amerikane”, ka pohuar ai.

Në fund, Morina ka treguar edhe ambiciet e tij për të ardhmen. “Ambiciet janë të mëdha, por falë fatit jam në pozitë shumë të mirë ta marr kohën e duhur për të zgjidhur atë që dua. Gjithashtu, jam munduar të jam aktiv me rrjedhat e futbollit të Kosovës dhe jam munduar që shumë shpesh ta ndihmoj KF Dardana nga Kamenica me produkte të ndryshme që i nevojiten një ekipi për të bërë stërvitje, si me topa, kona, ndërresa, ndërresa për ushtrime. Shpresoj që në një të afërme te shpejtë të kontribuoj edhe më shumë për futbollin shqiptar”, ka përfunduar Morina.
 
Top