Një stuhi e madhe ka përfshirë Europën Veriore, duke shkaktuar vdekjen e të paktën tre personave si dhe duke bërë që trafiku të shndërrohet në kaos total. Vlerësohet se stuhia do të përcillet me dallgët më të mëdha detare në disa dekada të fundit.
Një shofer kamioni ka vdekur kur era e madhe ka përplasur automjetin e tij në Skoci, ndërsa një burrë tjetër ka humbur jetën pasi një dru I madh e ka zënë përfundi në Angli.
Video nga EuroNews
Viktima e tretë, një grua, ka vdekur në Danimarkë pas përplasjes nga një kamion që e kishte marrë era. Në Gjermani, limani i Hamburgut është përgatitur për një goditje të drejtpërdrejt nga dallgët e stërmëdha të përcjella me stuhi.
Ekziston droja që dallga do të jetë e fuqishme sa ajo e vitit 1962, e cila shkaktoi vdekjen e 300 personave. Stuhia me fuqi uragani ‘Xaver’ ka përfshirë Europën veriore të enjtën, duke lënë dhjetëra mijëra shtëpi pa energji elektrike. Stuhia po përcillet me erëra, shpejtësia e të cilave shkon në 228 km/h.