Moti

Film pa skenar, pa regjisor e edhe më tepër, pa ndonjë yll hollivudian. Kjo është ideja që e përcjell gjatë gjithë kohës tematikën e “MikeyBoy”, ku protagonist kryesor është Mikel Dusi, i cili njëkohësisht e ka bërë filmin. “Mikeyboy” vë në pah dhe shpalos vlerat dhe traditat shqiptare.

Fillimisht e ka dhënë premierën botërore në Nju-Jork, pastaj ka udhëtuar në Tiranë dhe tashmë ka ardhur edhe në Prishtinë, ku të enjten u dha premierë. Personazhi kryesor në film është Mikel Dushi, të cilin amerikanët e thërrasin ndryshe edhe si Mike Dusi.
“Nuk kam dashur të bëj një film për mafia, me gangsterë italianë, por e kam zgjedhur specifikisht këtë temë me prejardhje shqiptare”, ka thënë ai.



Filmi flet për një djalosh shqiptar i cili me zanat është picamen nga Queens. Familja e tij ka emigruar në SHBA para 40 vitesh dhe akoma jeton në frymën tradicionale shqiptare. MikeyBoy ka lindur në Amerikë dhe është i dashuruar në një vajzë amerikane, por ka gjak shqiptari dhe është i rritur sipas traditave shqiptare. Mike punon së bashku me familjen e tij në piceri.

Ndërkohë do ta kuptojë se familja ia ka aranzhuar një nuse shqiptare nga Shqipëria. Bashkë me nusen, babai vendos që t’ia dhurojë edhe picerinë. Këtu është edhe hilja e filmit, pasi e dashura e tij e merr vesh se prindërit do ta martojnë atë me vajzën shqiptare përmes një dasme të aranzhuar, e kështu hidhërohet dhe largohet nga ai. “MikeyBoy” në një moment edhe tallet me vajzat shqiptare, kur Mike niset të shkojë në Shqipëri me vëllain e tij, e ku shoferi i taksisë afrikano-amerikan i krahason femrat shqiptare me lopët. Në këtë çast, Mike frikësohet dhe ndërron pasaportat me vëllain. Ky i fundit shkon ta marr nusen shqiptare, ndërsa Mike nis aventurën e tij për ta realizuar ëndrrën që të xhirojë një film.

Mike ka thënë se po ndihet shumë mirë që ka ardhur në Kosovë, veçanërisht në Gjakovë ku i ka lindur i ati.

“Të vij në Kosovë, në vendin ku ka lindur babai im, është gjëja më e bukur për mua. Jam rritur në Manhattan, në mënyrën më tradicionale të mundshme por nuk e di se si jam rritur në këtë mënyrë duke menduar gjithmonë për Shqipërinë, për Kosovën, për shqiptarët në përgjithësi”, është shprehur ai. Mike nuk flet shqip, por kjo gjë ka pak rëndësi për të, pasi sipas tij mund t’i harrojë të gjitha por gjakun e ka të pandryshuar.

“Mund ta ndryshosh aksentin, mënyrën e të folurit, por asnjëherë nuk mund ta ndërrosh gjakun prej nga vjen. Kam punuar për 7 vite në Los Angelos dhe tashmë e di stilin se si bëhen dasmat shqiptare”, ka deklaruar shqiptaro-amerikani.
Regjisorit kosovar Blerim Gjocit, i ka pëlqyer ideja e filmit dhe i është dukur interesant, por sipas tij, “MikeyBoy” është më shumë për tregun amerikan.

“Filmi është komedi tipike e stilit të pavarur. Ishte interesant, një perspektivë se si duket një shqiptar i cili është rritur në frymë amerikane, qysh i sheh ai traditat tona. Filmi është i stilit të kamerës së dorës, është interesant ndoshta më shumë për tregun amerikan sesa për tregun tonë, por mendoj se është një këndvështrim shumë interesant”, ka thënë Gjoci.

Filmi është dhënë nëpër festivale të shumta ndërkombëtare, në Kanë, në festivalin e filmit në Hollivud, Nju Jork, në Itali dhe Francë.
Ai do të vazhdojë të jepet në Kinemanë ABC në dy termine, 18:00 dhe 20:00./Bujar Vitija
06 Dhjetor 2013
 
Top