Aktori i njohur holivudian, Jean Claude Van Damme, kohë më parë pushtoi mediat duke u paraqitur në reklamën e kamionëve të kompanisë Volvo. Në reklamë tregohej stabiliteti i kamionëve të Volvo-s, të cilën e dëshmonte më së miri qëndrimi i Van Damme me këmbë të hapura në dy kamionë që lëviznin paralelisht.
Videoja u diskutua aq shumë, jo vetëm në botë, por edhe tek ne. E kjo gjë, me sa duke i ka shtyrë punëtorët e një kompania kosovare të krijojnë një të ngjashme, por në kushtet e Kosovës.
Në video paraqitet një plak, ndërsa në prapavijë dëgjohet një zë që thotë: “Para luftës, një gurbetqar punojke, krejt shpija hajshim, edhe bile me zgjedh, lloj-lloj çokollata. E sot punojmë 4-5 vetë për shpi, e s’bahemi idare as për haje e as për nxemje. E çokollatave ja u kem harru eren bile. Kta që na kanë pru në këtë deregje janë safi t’korruptuem. Për kta që e thash jom qin-për-qin i sigurt se kurrë n’jeten tem s’kom gabue. Edhe njëherë kur menova se jam gabim, gabova. Sot, Laja hala po mahet në kamë t’veta, e hajr baft gruja”.
Pasi largohet kamera dhe kapet një kuadër më i gjerë i plakut, ky i fundit shihet të ketë hipur mbi dy karroca supermarketi të cilat i shtyjnë dy të rinj.
E kompania prodhuese e këtij video-klipi thotë se këtë test e kanë bërë për të demonstruar jostabilitetin ekonomik të Kosovës. /Zëri/
