Reduktimet janë bërë mjaft të ashpra, kanë deklaruar zyrtarë në Ujësjellësin Rajonal Prishtina.
Në disa fshatra përreth Podujevës, që furnizohen nga sistemi i Batllavës, reduktimet e ujit tashmë kanë filluar të jenë që nga ora 7 e mëngjesit e deri në orën 20 në mbrëmje.
Zëdhënësja e Ujësjellësit Rajonal "Prishtina", Arieta Mjeku thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë uji, për shkak të rënies së kapaciteteve të ujit në liqene, dhe gjithashtu edhe keqpërdorimi i ujit nga ana e qytetarëve.
Sipas saj, tashmë niveli i ujit në të dyja liqenet është në rënie e sipër, çdo ditë e më shumë, ku niveli i ujit në liqenin e Batllavës është mbi rreth 12 metra nën nivelin maksimal, derisa në pozitë edhe më të vështirë është liqeni i Badovcit, prej nga furnizohet rreth 40 për qind e qytetit të Prishtinës, dhe është mbi 13 metra nën nivelin maksimal.
"Reduktimet e ujit janë të zakonshmet, që kanë qenë edhe gjatë sezonit të verës, pra lagjet që furnizohen nga sistemi i Batllavës kanë reduktime nga ora 22 deri në 6 të mëngjesit, derisa lagjet e kryeqytetit që furnizohen direkt nga sistemi i Badovcit kanë reduktime nga ora 10 e 30 deri në 16 dhe nga ora 23 deri në 6 të mëngjesit".
"Por që nga dita e djeshme, për shkak të rënies së nivelit të ujit në masë të madhe të liqenit të Batllavës, kemi filluar të aplikojmë reduktime më të ashpra në qytetin e Podujevës, dhe nga dje ato janë nga ora 19 deri në orën 6 të mëngjesit, ndërkaq për fshatrat që gravitojnë përgjatë gypit magjistral Albanik, Prishtinë deri në afërsi të Prishtinës do të ketë reduktime gjatë tërë ditës , duke filluar nga ora 7 e mëngjesit deri në 20", shprehet Mjeku për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se po qe se nuk do të ketë reshje atmosferike në ditët në vijim, do të aplikohen reduktime edhe më të ashpra.
Edhe vetë qytetarët ankohen për mungesë uji të pijshëm. Sipas tyre gjatë gjithë sezonit të verës e duke vazhduar edhe tani, kanë pasur reduktime të shumta.
