Familjarët e 52-vjeçarit, Shaban R. Dumani, nga fshati Miradi e Ulët e Fushë - Kosovës, i cili është njëri nga 40 të arrestuarit si i dyshuar për pjesëmarrje në Luftën e Sirisë dhe Irakut, janë të habitur për arrestimin e tij.
“O, ai as nuk ka as mjekër, as pantolla të shkurta, po ai as nuk falet more. Asnjë kohë të namazit nuk e falë. Thjesht ai merret me biznes, me barnatore bujqësore, etj. Një kohë të gjatë është marrë me biznes.
Në të kaluarën ka punuar edhe si profesorë në Shkollën Bujqësore në Fushë – Kosovë. Është agronom i diplomuar. S’po muj me kuptu pse e kanë arrestu hiq”, rrëfen Behari për Telegrafin.
I pyetur se a ka qëndruar Shabani jashtë vendit kohëve të fundit, Behari ka thënë se babai i tij e frekuenton shpesh Turqinë. “Qëndron atje për një kohë të caktuar (një muaj ose dy), derisa t’i përfundon punët që i ka në biznes, me të cilat ka shumë vite që punon”.
Ndërsa, në pyetjen se a mund të ketë qenë arsyeja e ndonjë problemi, zënke ose borxhi, që e ka Shabani me dikë ose ndaj dikujt, Behari ka theksuar se ai nuk është në dijeni për diçka të tillë.
“Unë, me sa e di, edhe mendoj qe e di mirë, sepse jam djali i tij, ai s’ka probleme me dikë. Na kemi pasuri, tokë edhe babai ka shumë të njohur në të gjithë Kosovën. Këto lidhje më tepër i ka krijuar nga raportet që i ka pasur në biznes”, ka shtuar Behar Dumani.
Ndryshe, të martën në aksionin e Policisë së Kosovës, janë arrestuar 40 persona, të cilët janë të dyshuar për pjesëmarrje në luftën e Sirisë dhe Irakut./Telegrafi/