Matoshi: Migrimi ilegal nuk është zgjidhje, koha e fundit për mobilizim
Nënkryetari i komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi ndihet i shqetësuar me ikjen e familjeve të tëra nga fshatrat e Kamenicës. Pavarësisht rreziqeve që këto familje përjetojnë gjatë rrugëve dhe qëndrimit jo të sigurt në shtetet e BE-së, Matoshi thotë se migrimi sërish nuk është zgjidhje. Ai fajëson trafikantët që po manipulojnë me të rinjtë dhe këto familje.
Apelet e zyrtarëve komunal në Kamenicës që t`i thuhet stop ikjes nuk po bëjnë efekt. Tashmë familje të tëra nga fshatrat kufitare ndodhen në vendet e BE-së ose janë në rrugë e sipër për të hyrë në ato vende, raporton rajonipress.
Fatmir Matoshi nënkryetar i Komunës ndihet i shqetësuar me këto ikje dhe këtë migrim ilegal. Matoshi thotë për rajonipress se pavarësisht kushteve të rënda që kanë këto familje ose këta të rinj, migrimi sërish nuk është zgjidhje.
Sipas Matoshit fajin për tërë këto ikje e kanë trafikantët të cilët po manipulojnë me këto familje dhe në veçanti me këta të rinj. “Ne u bëjmë apel edhe njëherë familjeve kamenicase dhe të rinjve që të kenë kujdes nga këto “oferta përrallore” që vijnë nga grupe trafikantësh. Duhet ta dinë të gjithë se po marrin një rrugë të rëndë dhe po rrezikojnë jetën e tyre dhe të fëmijëve” tha Matoshi.
Matoshi tha se ndihet i shqetësuar për largimin e të rinjve nga Kamenica në mënyrë ilegale, duke e rrezikuar, shëndetin dhe duke bërë harxhime, edhe pse institucionet vendore edhe ambasadat e vendeve të BE-së, apelojnë që mos të nisen në këto udhëtime qytetarët tanë, sepse nuk iu pranohet statusi i azilantëve.
Matoshi, thotë se trafikantët po e shfrytëzojnë gjendjen e rëndë të pa punësisë për manipulime me qytetarët, sidomos me rininë. “Më së shumti po rrezikojnë ata që me veti po i marrin edhe familjen me fëmijë të vegjël dhe po maltretohen nëpër kufij e në këtë mot të ftoftë. Edhe komuna e Kamenicës është e prekur nga ky sindrom, e në disa fshatra është më e theksuar si Karaçeva e Hogoshti” tha Matoshi etj.
Matoshi thotë se është koha e fundit që institucionet qendrore dhe ato lokale të mobilizohen për parandalimin e kësaj dukurie./rajonipress/