Sipas një njoftimi Ministrisë së FSK-së, sot në ambientet e kazermës “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, në Ferizaj, u mbajt ceremonia e certifikimit të 155 resrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e parë 2015, të cilët për nëntë javë trajnimi intensiv e përmbyllin me sukses kursin bazik dhe treguan përkushtim të lartë në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të dala nga programi i shkollës.
Me këtë rast, sipas njoftimit, ministri i MFSK-së, Haki Demolli ka thënë se nuk ka mision më të shenjtë, se të jesh ushtarë në shërbim të mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë, vlera dhe parime këto për të cilat gjenerata të tëra kanë sakrifikuar.
“Të qenit pjesëtarë të FSK-së është kënaqësi, detyrë dhe nderë për ju, që të jeni në shërbim të sigurisë, duke qenë të gatshëm në çdo moment për tu aktivizuar në detyra dhe misione që janë në të mirë të sigurisë së shtetit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve, pa dallime kombi, race apo gjinie”.
Ministri Demolli, me këtë rast,falënderoi stafin trajnues të KDS-së,për angazhimin e tyre të pakursyer në realizimin e këtij trajnimi, për të shtruar se: ”Niveli i trajnimit tuaj bazik me standarde të ushtrive më moderne, është një shembull i qartë i zhvillimit dhe progresit që po e bën FSK-ja në profesionalizimin e saj.
Ju po certifikoheni në një moment të rëndësishëm të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit tonë. Në kohën kurë janë bërë planifikimet dhe përgatitjet e duhura për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK). Ky transformim sjell mision dhe perspektivë të re për të gjithë, por veçanërisht hapë mundësi më të mëdha për zhvillimin e karrierës tuaj ushtarake. Prandaj kjo mundësi e re duhet të ju motivoj edhe më shumë për realizimin e detyrave që dalin para jush, gjatë kryerjes së shërbimit në FSK”. /Telegrafi/