Moti

Djali i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe pronar i kompanisë MAKCAR L.L.C., Besnik Mustafa, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se kompania që ai drejton “tërheq ofertën dhe kontratën për servisimin e veturës BMW të Qeverisë në shumën prej 2,946.00 euro”.

Ai ka dhënë edhe sqarimin e tij përse po e bën këtë, duke treguar fillimisht se kompanija e tij edhe paraprakisht e kishte servisuar të njëjtën makinë, kur babai i tij, nuk ishte kryeministër.

“Kompania MAKCAR L.L.C. Vetura BMW X5 e blinduar, është servisuar për herë të parë më 14 maj 2014 në Kompaninë e autorizuar për shitjen dhe servisim të BMW, MAKCAR”.

“Në këtë kohë baba im nuk ka qenë Kryeministër i Republikës së Kosovës. Këtë vit kompania jonë ka konkurruar për servisim të të njëjtës makinë, meqenëse më parë ka qenë klientel e jona. Kemi dhënë kushtet më të mira dhe jemi e vetmja kompani e autorizuar për territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai, transmeton Klan Kosova.

“Kemi bërë shpenzime për porositje të pjesëve rezervë të destinuar për këtë makinë në vlerë prej mbi 2,500 euro, por meqenëse është bërë fushatë e madhe për këtë punë, kompania jonë do ta tërheq ofertë-kontratën dhe do t’i bartim vetë këto shpenzime nga llogaritë e kompanisë”, ka shkruar Besnik Mustafa në Facebook.
 

 
Top