Shkollat e Kamenicës janë kthyer në një “strehë të ngrohtë” për familjarët e pushtetarëve dhe militantët partiak. Këtë fakt e kanë denoncuar sot përfaqësuesit e organizatës joqeveritare “Fortesa”, thuhet në një reagim të kësaj Organizate Joqeveritare.
“Gjendja në sferën e arsimit, është shumë më e rëndë dhe më e keqe se në vitet e kaluara. Disa objekte, veç emrin e kanë shkolla, atyre u mungojnë gjërat elementare për zhvillim normal të mësimit. Në 16 shkolla mungojnë sallat e edukatës fizike. Këtyre problemeve i shtohet edhe politizimi i skajshëm i arsimit”, thuhet tutje në reagimin e kësaj organizate.
“Fortesa” vlerëson se politika dhe nepotizmi, sivjet kanë pushtuar shkollat e Kamenicës. “Shumica dërrmuese e punësimeve në arsim, janë bërë me interferime politike. Në të shumtën e rasteve konkurset s’janë shpallur fare, ndërsa edhe atëherë kur janë shpallur vendet, konkurset kanë rezultuar fiktive”.
OJQ “Fortesa” thekson se ka raste kur të pakualifikuarit janë punësuar dhe janë anashkaluar profesionistët, si dhe të tjera raste ku mësimdhënësit kanë mbetur pa orë dhe të njëjtit vazhdojnë të jenë të sistemuar. Për këto dhe të tjera raste, kjo organizatë thotë se së shpejti do të dalë me një raport të detajuar.
“Rasti i konfliktit fizik në shkollën fillore në Poliçkë, të përfshirë në të edhe familjarë, është dëshmia dhe shembull më i keq i katrahurës së krijuar nga kjo qeverisje e korruptuar”, përfundon reagimi.