Daut Maliqi është ndër gazetarët e krijuesit e rrallë që nuk është dorëzuar para furtunave që sjellë profesioni i gazetarit. Ai punojë për profesionin e gazetarit pavarësisht rreziqeve që kishte në jetën e tij. Daut Maliqi edhe sot në moshë të shtyrë krijon dhe shkruan poezi e tregime për fëmijë e të rritur.
Në fotoalbumin e rajonipressit hasëm edhe në këtë foto të Daut Maliqit, gazetarit e publicistit nga Dardana. Është nga gazetarët e pakët që ka punuar në heshtje dhe kurrë nuk është dorëzuar.
Daut Maliqi pavarësisht sfidave që përjetoi në gazetari, ai mbeti besnik ndaj këtij profesioni. Përjetoj lloj lloj furtunash, por mbeti i palëkundur në rrugën që kishte zgjedhur, për ta informuar publikun e atëhershëm.”Ishin kohëra të vështira atëherë sepse pos punës që bëje duhej të mendoje edhe për kokën tënde e familjen. Pushteti serb i atëhershëm gjithmonë i përndjekte gazetarët” kujton Daut Maliqi.
Ndryshe Daut Maliqi ka lindur më 25.11.1939 në Busavatë të Dardanës.(ish Kamenicës} Shkollën fillore e kreu në vendlindje, progjimnazin në Gjilan, ndërsa shkollën normale në Prishtinë.
Nga shtatori i vitit 1960, deri në janar të vitit 1975 punoi mësues e arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollat fillore: në Koretin, në Strezoc dhe në Dardanë.
Prej vitit 1975, e deri në mbylljen e saj, punoi gazetar profesionist në të përditshmen “Rilindja”. Një kohë punoi kryeredaktor i radios lokale “Radio Premiera” në Dardanë. Është marrë kryesisht me gazetari e publicistikë, me çka është bërë i njohur për tërë trevën tonë.
Daut Maliqi filloi të merret me shkrime qysh si nxënës i progjimnazit shqip të Gjilanit. Vjershat e para i botoi më 1957 në gazetën “Rilindja. Është njëri ndër themeluesit e klubit letrar “Nositi” dhe anëtar i redaksisë së revistës letrare kulturore me të njëjtin emër, të cilën revistë e boton klubi në fjalë.
Nga “Nositi” i janë botuar përmbledhjet me poezi: “Rrjedhë lumi” Dardanë 2005 dhe “Gjuhën ma patën prerë që në fëmijëri” Dardanë 2006.