Moti

Në mbledhjen XII-të të Kuvendit të Komunës së Kamenicës të mbajtur sot, më 21.12.2015,antarët e KK-së nga LVV-ja, Arsim Thaçi dhe Bekim Fazliu nga AAK-ja kanë propozuar që Kuvendi i Komunës së Kamenicës t'a miratojë një Deklaratë kundër dy marrëveshjeve të fundit "Zajednicës” dhe Demarkacionit me malin e Zi, që Qeveria e Republikës së Kosovës më 25 dhe 26 gusht 2015 i nënshkroi me Serbinë dhe Malin e Zi

Prej asamblistëve vetëm 5 anëtarë të Kuvendit votuan që ky propozim të hyjë në rend dite për të debatua (Bekim Fazliu-AAK)  (Ismajl Sopi-LDK), (Zekirja Sermaxhaj-PD), (Edona Ajeti-AKR) dhe (Arsim Thaçi-LVV) , kurse tjerët ishin kundër, përfshire aty edhe kryesuesin e Kuvendit të Kamenicës Bajram Dërmakun. Asamblisti i VV ArsimThaçi tha për Tvkamenica se “ kryetari Begzad Sinani nuk pati as vullnet dhe as guxim me e mbështetë as me fjalë, se leje më me lobim për votim. Thaci gjithashtu tha se “kjo tregon nivelin e këtyre njerëzve që udhëheqin me Komunën e Dardanës ku në zhvatje dhe keqpërdorime dhe shkelje të ligjit janë të guximshëm dhe të papërtueshëm!


Propozim-Deklarata e plotë


Republika e Kosovës
Kuvendi Komunal në Dardanë 

Nga: Anëtarët e Kuvendit Komunal të Dardanës

    
Për: Kuvendin e Komunës  së Dardanës 
Lënda:  DEKLARATË kundër formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe në Republikën e Kosovës dhe marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi 
Datë: 21.12.2015

Negociatat mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, përgjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë të favorshme për këtë të fundit. Ajo që dihet tashmë hapur është se pikërisht nga këto negociata pa kushte dhe pa parime Serbia po i afrohet më shumë Bashkimit Evropian dhe po e forcon pozitën e saj në raport me çështjet e brendshme të Kosovës, ndërsa në anën tjetër Kosova po dëmtohet në vazhdimësi. 

Pas disa marrëveshjeve të dëmshme dhe jo kushtetuese në kurriz të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, të martën me datë 25 gusht, Kryeministri i Republikës së Kosovës nënshkruajti marrëveshjen për krijimin e “Zajednicës”.

Krijimi i “Zajednicës” është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme dhe cenon sovranitetin e vendit.
Krijimi i “Zajednicës” e zhvesh shtetin e Kosovës nga përkufizimi kushtetues si shtet i pavarur,  sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. 

Krijimi i “Zajednicës” ka për synim ndarjen mbi baza etnike dhe është një mini shtet i Serbisë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ky është procesi më i dëmshëm që mund t’i ndodh Kosovës.
 “Zajednica” do të ketë territor të vetin dhe ai është, pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës, komunat Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, por synimi do të jetë përfshirja e të gjitha komunave me shumicë të popullatës serbe.

Përveç territorit ‘Zajednica” do të ketë edhe Kuvendin e vet, ku do të përfaqësohen gjitha Komunat me shumicë serbe, pra do të ketë të drejtën e ligjvënies.
“Zajednica” do të ketë kompetenca ekzekutive në zhvillim ekonomik, infrastrukturë, shëndetësi, arsim, planifikim urban e rural. Po ashtu ‘Zajednica’ do ta ketë edhe policinë, gjyqësinë dhe pavarësinë financiare.

Në mbështetje të dispozitave të Nenit 12 paragrafit 2 pikës d, lidhur me Nenin 40 paragrafi 2 pika l të Ligjit  NR. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, Statutin  e  Komunës së Dardanës, Kuvendi i Komunës së Dardanës  në mbledhjen e datës  21.12.2015 miraton këtë:                                                                            
 D E K L A R A T Ë
1. I ashtuquajturi Asociacioni/Zajednica i/e komunave me shumicë serbe shprehë themelimin e një entiteti juridik të themeluar mbi bazën e pastrimit etnik të shqiptarëve.
2. Themelimi i një Asociacioni të tillë, krahas dëmit juridiko-administrativ dhe organizimit shtetëror që i bënë Republikës së Kosovës si shtet me karakter unitar të përkufizuar me Kushtetutë, juridizon formalizimin e një strukture juridike me tipare etnike. 

Me këtë karakter tani më të përkufizuar me Marrëveshjen e Brukselit dhe me marrëveshjen e fundit të datës 25 gusht 2015, Republika e Kosovës po bëhet shtet diskriminues ndaj shumicës shqiptare, por edhe ndaj qytetarëve të tjerë që janë shtetas të Republikës së Kosovës.
3. Themelimi i këtij Asociacioni/Zajednicë me pushtet të ndërmjetëm e tejkalon çdo qëllim të organizimit të pushtetit lokal si organizim themelor administrativ. Qëllimi i këtij entiteti legal nuk është asgjë tjetër veçse një strukturë formale me baza etnike që përjashton të gjithë qytetarët të tjerë që nuk janë të përkatësisë kombëtare serbe.

4. E themeluar me përmbajtje tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e Republikë së Kosovës, legjislacionin pozitiv nga fusha e organizimit të pushtetit lokal dhe atij përkitazi me financat publike të pushtetit lokal, Kartës Evropiane Për Vetëqeverisje Lokale (Strasburg, 15 tetor 1985).

5. Kuvendi i Komunës së Dardanës  nxjerrë qëndrim për arsyet e mësipërme:
5.1 Kuvendi i Komunës së Dardanës nuk do të njoh një formacion juridik i quajtur Asociacion/ Zajednicë e Komunave me Shumicë Serbe, duke përfshirë vendimet që do të merren nga organet e këtij konstruksioni formal kundërkushtetues;
5.2 Kuvendi i Komunës së Dardanës zotohet se nuk do të mbajë asnjë raport me strukturat e këtij organizimi kriminal dhe me prapavijë të spastrimit etnik;
5.3 Kuvendi i Komunës së Dardanës  i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga cilido veprim i cili do t'i kontribuojë themelimit të Asociacionit/Zajednicës;
5.4 Asnjë marrëveshje që bien ndesh me interesat e Kosovës dhe territorin e saj nuk është i pranueshëm për Komunën e Dardanës. 

5.5 Kuvendi i Komunës së Dardanës kundërshton fuqimishtë marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bëjë anulimin e saj.
5.6 Kjo Deklaratë do të hyjë në fuqi ditën e miratimit të saj nga Kuvendi i Komunës së Dardanës.



 
Top