Moti

Nga Berat Buzhala - Çka nëse Thaçi nuk zgjidhet President, ose çka nëse Thaçi zgjidhet President? Çka nëse protestat nuk ndalen, e palët nuk merren vesh? Nëse ma çelni gojën për problemet e botës atëherë unë mund t'ua prishë komplet festën.

Kështu e kishte nisur një kolumne të tij në The New York Times, Thomas Friedman, që kishte ngritur shumë dilema me "çka nëse" bota nuk mund t'i zgjidhte shumë telashe që po i qëndronin mbi kokë. 

Sigurisht që nuk do të merrem me hallet e botës, duke i pasur llugë punët tona. Mirëpo koncepti i shkrimit të Friedman më pëlqej shumë, e bashkë me të edhe pyetjet që nisin me "Çka nëse?"

Në vendin tonë, klasa politike, që pothuajse dy vjet nuk e ka zgjidhur asnjë problem. Ato të mëhershëm i kemi bartur në këtë muaj, e në ndërkohë kemi krijuar edhe shumë të tjera.

Është e tepërt, pothuajse jo korrekte, të pritet prej nesh që në muajin mars të dalim faqebardhë. Historia na mëson se kjo klasë politike problemet që janë të thjeshta për t'u zgjidhur i i ka komplikuar, kurse të komplikuarat nuk i ka zgjidhur kurrë pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. 

Dhe tash, kur jemi afër muajit më kritik në 15 vitet e fundit, më të drejtë mund t'i bëjmë disa pyetje të rënda që nisin me "Çka nëse?"

Çka nëse me 17 shkurt opozita e mbushë prapë plot sheshin, e Qeveria nuk tërhiqet? Çka nëse koalicioni qeverisës kundërpërgjigjet dhe thërret edhe ajo një manifestim mbështetës, siç kishte bëre Gruevski në Shkup, ose Erdogan në Turqi? Çka nëse një ditë grupet e militantëve të të dyja palëve takohen mu në shesh me njëra tjetrën? 

Çka nëse në muajin shkurt Hashim Thaçi nuk arrinë të zgjedhet President? A do të marrë fund koalicioni PDK - LDK? A do të mundet Isa Mustafa ta udhëheq edhe më tutje LDK'në, nëse deputetët e tij rebelohen, duke mos ia dhënë votën partnerit për President, duke e shkelur marrëveshjen e arritur? A do të mund të bëjmë zgjedhje në këto kushte? Çka nëse partitë politike nuk mund të merren vesh as për datën e zgjedhjeve, por demokracinë e zhvillojnë vetëm përmes rrugës? 

Ose çka nëse Thaci zgjedhet President në ndonjërën prej bufeve të Kuvendit të Kosovës, kurse opozita ashpërson mjetet e protestës në rrugë? Çka nëse ditën kur zgjedhet Thaci President, në rrugët e Prishtinës do të ketë viktima? Çka nëse - kjo madje nuk është as Çka nëse - opozita nuk e pranon ketë President?

Çka nëse Bashkësia Ndërkombëtare, saktësisht SHBA dhe Gjermania, nuk do të ndërhynë në këtë proces? 

Çka do të ndodhë nëse edhe gjatë muajit shkurt partnerët tanë do të vazhdojnë të gjykojnë sjelljet tona vetëm me anë të komunikatave të thata për shtyp, duke treguar se cfarë është mirë e çfarë është keq, mirëpo duke mos e ndërmarrë asnjë hap më tutje? Çka do të ndodhë me ne, nëse BE dhe SHBA do të na trajtojnë, ashtu siç e trajtojnë secilin shtet normal? 

Çka nëse si rezultat i gjithë këtyre zhvillimeve vendi yt kolapson tërësisht? Cka nëse digjen institucionet? Çka nëse organet shtetërore, si policia, fillojnë të mos i bindën tërësisht udhëheqësve të tyre? 

Muaji shkurt është jashtëzakonisht i shkurtë për t'i realizuar në mënyrë pozitive pritjet tona. 

Kjo më nuk është as çështje e fatit.

 
Top