Shkruar në fb nga Jusuf Thaçi ish Drejtor i arsimit në Komunën e Prishtinës, (Postim i plotë dhe i pa edituar )
1. Deputeti Ilir Deda më nuk përfaqëson LVV-në, andaj duhet të përjashtohet nga Grupi Parlamentar i LVV-së. Dje (17.2.2016) z. Deda doli publikisht i mbështjellë me flamurin e imponuar të Kosovës (pra e promovoi atë), në ndërkohë që LVV e ka mision, qëllim e qëndrim ndërrimin e simboleve të imponuara të shtetit të Kosovës, në mënyrë që këto simbole të jenë në përputhje me vullnetin e popullit dhe përfaqësim i identitetit të Kosovës.
Unë gjykoj që secili zyrtar i LVV-së duhet të “respektojë” simbolet ekzistuese të shtetit të Kosovës vetëm për aq sa i detyron ligji, por assesi t’i pranojë ato si simbole përfaqësuese e t’i promovojë ato. Pikërisht këtë e bëri dje z. Deda, deputet i LVV-së në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, LVV duhet ta përjashtojë z. Deda nga grupi i vet parlamentar. E di që z. Deda e pret pikërisht këtë, që ai të përjashtohet nga LVV, duke u bërë ai viktima, e LVV-ja organizatë diktatoriale. E di që partizanët e veteranët e demokracisë do të thonë që ky është mendimi i z. Deda dhe nuk bën të përjashtohet për këtë. Por, unë ju them udhëheqësve të LVV-së që mosndërmarrja e veprimeve ndaj z. Deda i lëndon pikat më të forta të LVV-së, konsistencën dhe unifikimin mes qëndrimeve e veprimeve, pra parimësinë e LVV-së.
Partizanëve e veteranëve të demokracisë ju them që z. Deda mund të ketë lirinë të veprojë si të dojë vetëm duke qenë si individ, por nuk mund të veprojë në kundërshtim të plotë e të drejtpërdrejt me idealet, parimet, qëllimet, qëndrimet e veprimet e subjektit politik që e përfaqëson zyrtarisht. Kjo që ka bërë e po bën z. Deda nuk është liri, kjo nuk është demokraci! Kjo është tradhti ndaj lirisë e demokracisë!
2. Dardan Molliqaj nuk është personi i duhur që për momentin të promovohet nga LVV e të bëhet fytyra identifikuese e LVV-së. Z. Molliqaj mund të jetë aset i pazëvendësueshëm i LVV-së, mund të jetë njeriu më idealist, mund të jetë njeriu më i zhdërvjelltë, mund të jetë njeriu më i pastër, mund të jetë ndër më punëtorët e më meritoret për rriten e zhvillimin e LVV-së.
Por, kohëve të fundit, për shkak të një fushate publike të gjatë e intensive kundër z. Molliqaj (s’ka rëndësi për momentin a është me të drejtë a pa të drejtë), ai është demonizuar shumë dhe nuk është person që nxit simpatinë e publikut dhe të masave tej-partiake. Prandaj, në kohën kur LVV (së bashku me partitë tjera opozitare) ka nevojë që të sigurojë sa më shumë përkrahje qytetare (tej-partiake e tej-opozitare), nuk duhet të lejojë që persona jo-simpatikë për publikun e masën të promovohen e të bëhen fytyra identifikuese të LVV-së.
Në këtë kontekst, gjykoj që paraqitja e djeshme (17.2.2016) e z. Molliqaj si folës në protestë ishte veprim i gabuar. Prandaj, i bëj thirrje LVV-së (edhe vet z. Molliqaj), që në situatën e atmosferën ekzistuese politike në Kosovë, z. Molliqaj sa më pak të shfaqet në publik (në emisione televizive e folës në protesta). Ka mjaft djem e vajza LVV-ja, të cilët janë edhe idealistë, edhe të zhdërvjelltë, edhe të pastër, edhe punëtorë e meritorë për rriten e zhvillimin e LVV-së, të cilët mund të jenë edhe të pranueshëm e edhe simpatikë për publikun e masat dhe të cilët duhet të promovohen dhe të bëhen fytyra identifikuese të LVV-së (ose tashmë janë të tillë). Besoj që edhe LVV edhe vet z. Molliqaj pajtohen që LVV dhe rrita e saj janë shumë më të rëndësishme se sa individi specifik, në këtë rast z. Molliqaj.
3. Masa e njerëzve që del në protesta gjithë-popullore ka nevojë për përfaqësim tej-partiak e tej-opozitar dhe për fjalime e folës lakonikë e elektrizues. Protesta e djeshme (17.2.2016), megjithëse ishte masive dhe madhështore, pati disa të meta, të cilat mendoj që duhet të konstatohen dhe të evitohen në protestat e radhës dhe për këtë përgjegjësinë kryesore duhet ta ketë LVV.
Së pari, pavarësisht se protesta ishte gjithë-popullore, edhe si e ftuar edhe për nga masiviteti, megjithatë organizatorë zyrtarë të protestës ishin vetëm tri subjektet opozitare, ndërsa mendoj që duhet të ftohen për bashkë-organizatorë zyrtarë edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat merren me çështjet e demokracisë dhe të cilat pajtohen me kërkesat e protestës, në mënyrë që protesta të jetë vërtet gjithë-popullore.
Së dyti, pavarësisht se protestën e përkrahën publikisht sindikata, organizata, individë e intelektualë të pavarur, megjithatë masës në protestë nuk iu drejtua asnjë përfaqësues i këtyre kategorive, ndërsa mendoj që kjo do duhej të ndodhte, në mënyrë që protesta vërtet të ishte (të jetë në të ardhmen) tej-partiake e tej-opozitare. Së treti, pavarësisht se dihet që në protestat gjithë-popullore masat lodhen e mërziten shpejt, megjithatë pati fjalime të shumta e të gjata, disa shterpe e disa nga persona jo-karizmatikë, ndërsa mendoj që në protesta të tilla duhet të ketë folës më pak, fjalime më të shkurta dhe folës lakonikë, përmbajtësorë e karizmatikë, të cilët janë bindës për masat, i elektrizojnë masat dhe i motivojnë pjesëmarrësit e protestës.
P.S.:
1. Këto gjëra kam munduar t’ua them jo-publikisht miqve e mikeshave të LVV-së, por gjykoj që thënia publike e këtyre gjërave është më e shëndetshme.
2. Ata që i konsiderojnë këto vërejtje/sugjerime të mia publike si qëllim-këqija ndaj LVV-së, atëherë le ta shqyrtojnë konceptin e tyre për të “mirën” e për të “keqen”, sepse unë nuk mund t’i ndihmoj në këtë pikë.
3. Atyre që do ta përdorin këtë shkrim timin për të bërë propagandë pro a kundër dikujt a diçkaje, vetëm mund t’ju them se jam plotësisht i vetëdijshëm për këtë, por gjykoj që është shumë më e shëndetshme e më e rëndësishme që unë të ushtroj e të demonstroj lirinë dhe të drejtën time për t’u shprehur e për ta thënë të vërtetën, se sa pasojat që mund të sjellë për mua a për dikë tjetër ushtrimi dhe demonstrimi i kësaj lirie dhe të drejte.
Jusuf Thaçi,
18.2.2016