Dogana e Kosovës sot ka suspenduar dy oficerë të pikës kufitare doganore të Merdares, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare respektivisht për lëshimet e bërë me rastin e doganimit të mallrave në import.
Përmes një komunikate për media thuhet se Dogana e Kosovës kishte pranuar informacion nga një qytetar se në degën doganore të Merdares oficerët doganor dyshohet se po përvetësojnë mjete monetare në mënyrë të paligjshme.
“Dogana menjëherë ka iniciuar procedurën e brendshme hetimore për dyshimin e keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe gjatë hetimeve të brendshme të zhvilluara ka ardhur në përfundim se zyrtarët doganor në degën e Merdares kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, me këtë rast dogana ka ftuar Prokurorinë që të bashkëngjitet në hetimet penale nga këtyre dy oficerëve doganor” thuhet në komunikatë.
Drejtori i Përgjithshëm ka suspenduar dy oficerët doganor me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti sipas neneve të Kodit Penal.
Nga ana tjetër me urdhër të Prokurorisë njëri prej oficerëve doganor është dërguar në paraburgim derisa oficeri tjetër është në procedurë të rregullt.
Dogana e Kosovës dhe Prokuroria kanë iniciuar procedurë penale edhe ndaj importuesit të mallrave i cili gjithashtu me urdhër të prokurorit është dërguar në paraburgim.
Rasti është hetuar dhe udhëhequr nga Dogana e Kosovës nën mbikëqyrjen e Prokurorisë.