Moti

Shkruar nga: Jakup Vrapçani

-Kosova, edhe pas mëvetësisë po sfidohet nga shteti serb në forma të ndryshme. Dikur me luftë e represion e tani në kohën e shekullit të ri me diplomaci aktive serbe. Së fundi na doli një gjashtë-pikësh i çoroditur nga planet serbe pajtimi me OKB-në për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë.

Nuk e kam të qartë pse ministri i jashtëm i Kosovës nuk ishte më i qartë para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, për t’ua bërë me dije se për Kosovën pyetet dhe përgjigjet vetë Kosova dhe liderët e saj.

Ua bëj me dije politikanëve tanë se nuk duhet bërë rrëmuja tjera të këtij lloji në të ardhmen, por të jenë sa më konstruktiv se politika dhe diplomacia nuk kanë limite dhe lexohen e nënkuptohen mes rreshtave. Duhet të mësohemi njëherë e përgjithmonë t’u ikim atyre skenave politike jo të mira.

Vëmendja duhet të përqendrohet tek finalja se çka sjell ajo kërkesë më pas e jo si duket në shikim të parë. Politika nuk është gastronomi. Pasojat po i shohin tepër vonë.

Mendoj se shtrirja e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës do bëhet por me ca pengesa deri në shtrirjen e plotë. Veriu dhe masat që duhet marrë atje janë detyrë e qeverisë aktuale. EULEX-i këtu vjen me misionin e vet tashmë të njohur për dogana, drejtësi dhe polici.

Pse pikërisht në këto tri sfera?
Sprovat për Kosovën nuk qenë asnjëherë të lehta. Por, u tejkaluan disi dhe duke i ndihmuar miqtë e saj të përhershëm. Ato që shkuan u harruan, por mos të harrojmë qeveria serbe është dhe do jetë e gatshme ta sfidoje Kosovën akoma.

Një plan sekret serb ishte miratuar në fillim të vitit 2008. Mendoj se sfidat do jenë edhe më komplekse. Tani është në rrugë e sipër çështja e marrëveshjes së Kumanovës-1999.

Kjo kërkesë për shfuqizimin e saj ka filluar të dal nga furra e Beogradit tashmë.
Pastaj sigurisht se do dal në skenë edhe kërkesa për pronat serbe në Kosovë, çështja e arkivave, ndërtimi edhe i shumë kishave ortodokse në Kosovë edhe jashtë enklavave serbe, decentralizimi dhe vijat e komunave, ndihmat e jashtme ekonomike për serbët lokal, demarkacioni i kufirit Kosovë-Serbi, pronësia e disa objekteve brenda Kosovës, humbja e pasurisë dhe e personave e shumë kërkesa tjera që mund t’i identifikoj autori i këtij publikimi. Sfidë do jetë edhe kundërshtimi serb për FSK-në.

Më duhet të them se disa nga to i takojnë kosovarëve që t’ua kërkojnë qeverisë së Beogradit e jo të presin të kundërtën. A do jenë ato të vogla a të mëdha në diplomaci nuk luajnë fort rol.

E rëndësishme mbetet lëvizja e letrave dhe kërkesave sipas rrethanave në terren. Loja supozohet të jetë e fortë. Qeveria në Prishtinë duhet gjetur rrugë dhe alternativa të reja për t’i tejkaluar këto sfida.

Ajo po vuan nga një atrofi diplomatike, ku diplomacia duhet të jetë më dinamike, më energjike dhe më e përsosur. Ka shumë shtete që me pak përkushtim do të njihnin shtetin kosovar.

Kosova dhe politikanët tanë duhet ta kuptojnë se ka kaluar faza e defensive dhe folklorizmi, tani detyrimisht duhet shkuar në ofensivë diplomatike. Ngase, shtetet e reja tanimë i kanë krijuar gjithë mekanizmat e nevojshëm për etatizmin e tyre.

Mendoj se Kosova me një angazhim serioz dhe shumë sakrifikues do t’i kaloj këto sfida jo të kënaqshme për rrethanat aktuale.  
Kosova ka potencial për t’i përballuar dhe tejkaluar këto sfida.

Medoemos na imponohet pyetja tjetër se a po ndërtohet shteti funksional apo virtual?
Këtë çështje duhet pasur parasysh.

Për fund do dëshiroja që Kosova të bëhet objekt identifikimi në arenën ndërkombëtare duke u integruar përmes gjërave tepër brilante dhe të kohës, si në kulturë, sport e jo të punohet vetëm në diplomacinë klasike. Kjo arrihet së bashku me një qasje serioze.

 
Top