Presidenti i Republikës se Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi sot përkujtimoret në Hoçë të Madhe dhe në Suharekë për të përkujtuar viktimat e luftës së fundit në Kosovë dhe për të bërë thirrje për të vërtetën dhe për pajtim, njofton kumtesa presidenciale, transmeton Koha.net.
Pasi vuri lule në memorialin në Hoçë të Madhe, së bashku me Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, presidenti Thaçi kërkoi që të punohet për të vërtetën dhe për pajtim.
“Sapo vumë lule në këtë përkujtimore për 84 qytetarë serbë të Kosovës për të përkujtuar viktimat, pa dallim nacionaliteti. Jemi këtu për të kërkuar të vërtetën dhe për të kërkuar pajtim ”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai ka shtuar se për të vërtetën kërkohet sakrificë. “Për pajtim, secili prej nesh duhet ngritur mbi vetveten”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se kjo duhet të bëhet në emër dhe në shërbim të së ardhmes demokratike të Kosovës.
Thaçi, gjithashtu kërkoi që sa më parë të zbardhet fati i të pagjeturve, që të ngadhënjejë drejtësia dhe të ndodhë pajtimi.
“Kosova nuk duhet të mbetet peng i të kaluarës, por duhet të ndërtojmë të ardhmen evropiane të Kosovës”, u shpreh ai. Presidenti Thaçi, gjithashtu shtoi se nga takimet që ka pasur me familjarët e të pagjeturve të të gjitha komuniteteve, është optimist për pajtimin në Kosovë.