Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra, ka qenë pre e një vargu kërcënimesh ditëve të fundit.
Pas shumë mesazheve fyese dhe linçuese në Facebook, sulmuesit kanë shkuar edhe më larg. Ata kanë gjetur adresën e banimit të Xharrës në Prishtinë, dhe në muret jasht banesës së saj, kanë vizatuar me ngjyrë të kuqe disa kryqe gjigantë.
Të njëjtën e kanë bërë edhe në parkingun e banesës së saj, ku ajo zakonisht e lë veturën.
Kryeredaktorja e “Zërit”, ka treguar se ka lajmëruar rastin në polici, e cila po merret tani me hetimet. Kurse. më poshtë mund të shihni fotografitë e bëra në vendbanimin e Xharrës në Prishtinë./Zeri/
AGK kërkon hetime të shpejta për rastin e kërcënimit të Arbana Xharrës
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pritur me shqetësim lajmin se kolegia Arbana Xharra është duke u ndier e kërcënuar pasi persona të panjohur sipas saj, ia kanë vizatuar një simbol në formë kryqi me ngjyrë të kuqe në hyrje të banesës.
AGK, kërkon nga organet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës që sa më parë të hetojë këtë rast.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thotë se do ta përcjellë me kujdes rastin në fjalë duke kërkuar hetime të shpejta dhe efikase nga organet e rendit.
Ndryshe, kryeredaktorja e gazetës ‘Zëri’, Arbana Xharra është ndier sot e kërcënuar pasi në muret jashtë banesës së saj janë vizatuar me ngjyrë të kuqe disa kryqe gjigantë.
Të njëjtën e kanë bërë edhe në parkingun e banesës së saj, ku ajo zakonisht e lë veturën. /Telegrafi/