Moti

Shkruan: Sylejman Morina

Pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti i ri komunist, kishte filluar me spastrime, kinse të armiqve të brendshëm, ku kishin pësuar edhe shumë arbëneshë.










Të rralla janë qytetet si Jadera (Zara) që kanë një të kaluar të gjatë dhe të pasur. Gjatë historisë së ekzistimit të saj, shpesh janë ndërruar pushtuesit, të cilët i kanë  shkaktuar djegie e shkatërrime të mëdha këtij qyteti dhe kanë lënë gjurmët e sundimit të tyre. Për çudi, ky qytet ishte djegur e plaçkitur edhe nga Kryqëzata Krishtere, më 1202.Zara kishte pësuar shkatërrime të mëdha  edhe nga bombardimet e forcave të koalicionit, gjatë Luftës së Dytë Botërore(1943). 

Ndërsa, shkatërrimet e fundit i kanë ndodhur pas viteve ‘90-ta (1991-1995), nga  artileria e APJ-së dhe paramilitarët serbë. Zara, si vendbanim është themeluar nga fisi ilir i Liburnëve, në shekullin IV para erës së re dhe konsiderohet ndër 15 qytetet më të vjetra të Evropës. Ndërkaq, disa studiues, përkundur historiografisë zyrtare , e cila Liburnët i konsideron si pjesë e  fiseve ilire, duan ta paraqesin këtë fis si një etnitet të veçantë, pa lidhshmëri me Ilirët. Zara, pas Luftës së Parë Botërore, që nga viti 1920 ka qenë nën sundimin italian, deri më shtator 1943, kur Italia fashiste, pas sundimit 23 vjeçar, kishte kapitulluar, ndërsa Zara kishte rënë nën okupimin gjerman, deri më 31tetor 1944. Pas Luftës së Dytë Botërore, Zara ishte bashkuar me Kroacinë (Jugosllavinë). 

Pushteti i ri i komunistëve, menjëherë kishte filluar me spastrimet, kinse të armiqve të brendshëm, pa procedura gjyqësore e, herë-herë me procese të montuara. Në mesin e tyre kishin pësuar edhe shumë arbëneshë. Për proceset gjyqësore të kësaj periudhe (1944-46), flet më së miri historiani prof.Dr. Zlatko Begonja. Qytetarët  italianë, si dhe ata që kishin ide anti-komuniste, kishin ikur më herët në Itali,në mesin e tyre kishte pasur edhe arbëneshë. Shpërnguljet kishin vazhduar edhe pas vendosjes së socializmit(Diktaturës së Proletariatit).
    
Përpjekjet për të ruajtur identitetin

Me realitetin e ri shoqëror, disa nuk kishin qenë të kënaqur. Në mesin e tyre kishte që kishin luftuar antifashistët dhe ishin zhgënjyer, sepse ndryshe e kishin parafytyruar socializmin, në bazë të propagandës së agjentëve të Kominternit(internacionalja e tretë e mbajtur në Moskë,më 1919). 

Ata nuk mund ta pranonin assesi qëndrimin dhe propagandën aq të fuqishme të shtetit kundër fesë. Ndërkaq, intelektualët arbëneshë (JosipRela, Budimir Peroviq, Shime Deshpali etj), kishin filluar disa aktivitete kulturore, për të mirën e komunitetit arbnesh, për ruajtjen e identitet e trashëgimisë së tyre kulturore, mirëpo nuk kishin gjetur mirëkuptim nga pushteti komunist. Arbëneshët e kishin hipotekën nga  komunistët si pro italian, edhe pse nga mjedisi i tyre kishte pasur komunistë e partizanë. 

Por, në bazë të një numri të vogël të arbëneshëve që kishin bashkëpunuar me pushtetin italian,  gjeneralizohej paragjykimi. Zara e pasluftës ishte e populluar me fshatarë nga rrethinat, të cilët nuk e kishin të njohur traditën dhe kulturën e qytetit të Zarës. Të vetmit që kishin ruajtur kulturën qytetare,të përzier me elemente italiane, ishin arbëneshët. Kjo vetëm sa  shtonte bindjen se arbëneshët ishin pro italian. Këtë, mirë e shpjegon prof.dr. S.Dokoza,në kumtesën e mbajtur në Zagreb, me rastin e 280 vjetorit të ardhjes  së  Arbëneshëve nuk u kishte mbetur gjë tjetër, pos të heshtin dhe identitetin e tyre ta shprehnin vetëm në mesin e tyre, në festat familjare, që të punojnë e të mësojnë sa më shumë e të arrijnë rezultate sa më të mëdha. Vetëm suksesi i tyre i jashtëzakonshëm u krijonte mundësi avancimi në pozita, në institucione të ndryshme të shtetit, pastaj në kulturë, art, sport dhe lëmenj të tjerë.


Dalja në detin e  Zarës ishte ëndërr serbe

Shpërnguljet e kroatëve dhe arbëneshëve nga Zara kishin vazhduar, duke mos u ndalur kurrë tërësisht. Disa  bëheshin për shkaqe politike, disa për arsye ekonomike e, disa për motive tjera. Ndoshta, në këto procese fshihej qëllimi i politikës serbe, e cila kishte ndikim edhe në Zarë, që dëshironte sa më shumë të zvogëlohej numri i popullatës kroate e arbëneshe, derisa nga viset tjera, sa më tepër serbë  të vendoseshin në Zarë dhe kështu të ndryshonte struktura e popullsisë. Lirinë, të cilën sot e gëzojnë zarasit, është arritur pas fitores triumfale të ushtrisë e policisë kroate, me ofensivën e quajtur  “Oluja” (Shtrëngata) kundër shtetit të ashtuquajtur të Krainës së Kninit, që ndihmohej nga Serbia e Millosheviqit. 

Me ketë përfundoi edhe ëndrra serbe për dalje në detin e Zarës. Për çlirimin e Zarës, pos kroatëve kanë kontribuar edhe arbëneshët si dhe shqiptarët e Zarës, që me shumicë ishin vendosur aty pas viteve ‘90- ta. Sot në  Arbnesh funksionojnë dy shoqata  kulturore, Shoqata e Arbneshve të Zarës”(1993) dhe Shoqata “Vicko Zmajeviq” e themeluar më 7 maj 2014,  të cilat  edhe bashkëpunojnë me shoqatën e shqiptarëve të Zhupanisë së Zarës. Shoqata”VZ”, është duke vazhduar kursin e  arbënishtës, të udhëhequr nga profesoresha e nderuar Dr. Maksimilijana Baranqiq. Ndërsa, me angazhimin e shoqatës së shqiptarëve, gjuha shqipe, për herë të parë në Kroaci, ka filluar të mësohet si lëndë zgjedhore në  Shkollën fillore të Arbanasit(Arbneshit) “Kruno Krstiq”, ku drejtoreshë është arbëneshja Jasmina Mateshiq. Ndërkaq, më 2016 fillon në Gjimnazin “Vladimir Nazor”  me mësimdhënësin meritor  prof. Vesel Leken, aktivist i dalluar i shoqatës së shqiptarëve në Zhupaninë e Zarës. Tvkamenica.com




 
Top