Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq ka deklaruar se serbët e Kosovës duhet që të kenë një nga tri pozitat kryesorë të udhëheqjes së shtetit të Kosovës.
Sipas tij këto tri pozita janë, Presidenti, Kryeparlamentari ose në udhëheqje të Qeverisë së Kosovës.
Në një debat në një nga televizionet e Serbisë, Gjuriq ka thënë se pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, përfaqësuesit e Listës Serbe duhet të marrin njërën nga tri postet udhëheqëse më të larta në Kosovë, transmeton Indeksonline.
Sipas Gjuriq, nuk do të jetë aspak e lehtë por në rast se përfaqësuesit ndërkombëtar e kanë mbështetur një gjë të tillë në Maqedoni, pse nuk duhet të ndodhë edhe kjo në Kosovë. Gjuriq ndër të tjerash ka aluduar në atë se kryetari i Kuvendit të Maqedonisë është zgjedhur Talat Xhaferi nga BDI- i cili vazhdon të jetë në koalicion me LSDM-në e Zoran Zaev./Indeksonline/