Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, zyrtarisht ka dorëzuar letërnjoftimet e para biometrike të Kosovës, të cilët do të zëvendësojnë të mëparshmit, duke e vlerësuar lartë cilësinë dhe sigurinë e këtij dokumenti.
Prej sot fillon prodhimi vetëm i letërnjoftimeve biometrike, më nuk do të prodhohen letërnjoftimet e mëparshme. Megjithëse, ata e kanë validitetin e tyre.
Disa e kanë gati 10 vjet, mirëpo në faza të mëvonshme nëse dikush do të udhëtoj me këto dokumente, nuk do të mundet, jo vetëm në rajon, por në të ardhmen edhe me pasaportat biometrike kur të fitohet liberalizimi i vizave.
Më tej u tha se afati është për 3 vite të furnizohen të gjithë qytetarët, por është interes i Kosovës që kjo të kryhet edhe më herët. Ka kapacitete për këtë, edhe kompania edhe personeli jonë dhe unë shpresoj se vitin e ardhshme deri në 2015 më së largu të gjithë të furnizohen me letërnjoftime biometrike, ka thënë ai.
Sipas Rexhepit, me prodhimin e këtyre letërnjoftimeve do të lehtësohet edhe procedura e marrjes së dokumenteve të tilla, por edhe e udhëtimit.
Koha do të jetë shumë më e shkurtër për arsye se janë bërë avancime dhe në zyrat e gjendjes civile dhe aplikimi është shumë më i lehtë, më i shpejtë dhe është një përparësi që tash me një e-mail, ose sms, njoftohet pala drejtpërdrejtë kur iu ka kryer letërnjoftimi. Nuk ka nevojë të shkoj e të pyes se kur i kryhet letërnjoftimi, ka theksuar ai.
Çmimi i përgjithshëm për këtë projekt është 7.8 milionë euro, me të cilat priten të prodhohen 1 milionë e 700 mijë letërnjoftime. Qytetarët për një dokument të tillë do të paguajnë 10 euro.