Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), e mbajti mbledhjen e fundit për ketë vit, ku për shqyrtim pati tri pika të parapara. Pika për të cilën u diskutua më gjatë ishte: Raporti i komisionit komunal për vlerësimin dhe dhënien e pronës komunale në shfrytëzim.
Besnik Rrudheni (LDK) propozoi që komuna duhet ta bëjë një listë të caktuar, ku do të jenë të evidentuara të gjitha pronat e komunës të cilat mund të jepen në shfrytëzim afatshkurtër nga komuna. “Kjo do ishte e dobishme për ata që janë të interesuar për marrjen në shfrytëzim të pronës komunale, sepse do të kenë informacione se ku gjenden ato prona komunale. Po ashtu lista do ta lehtësonte edhe punën e komisionit komunal për vlerësimin edhe dhënien e pronës komunale në shfrytëzim”.
Komisioni do jetë më efikas dhe do të kenë mundësi të shqyrtoj më shumë kërkesa të qytetarëve të interesuar.
Sami Kastrati(PDK), kërkoi që të bëhet një koordinim edhe më i madh i punëve në mes të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor me drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi.
Besa Krasniqi Hoxha(LDK), propozoi që në Kuvend të prezantohet lista përfundimtare e komisionit për emërtimin e rrugëve, rrugicave, shesheve dhe vendeve të tjera.
Pikat e aprovuara do t’i dërgohen për shqyrtim Kuvendit, ndërsa kryesuesi i Kuvendit z. Bajram Dërmaku, mori për sipër që të angazhohet që në Kuvend të prezantohet lista e emërtimeve e cila i është dërguar komisionit qendror.