Moti

Drejtori i Zyrës për Kosovën Marko Gjuriq ka thënë se këtë javë do ta vizitojë Kosovën dhe se askush nuk mund ta ndalë atë.

Duke u përgjigjur në pyetjen pse iu është ndaluar vizita në Kosovë, Gjuriq e ka parashtruar një kundërpyetje: “Vallë, mendoni se ndokush mund të ma ndalojë që të jem me popullin tim në Kosovë? Natyrisht, të dielën do ta vizitoj popullin tonë në Kosovë. Do të jem në veri të Kosovës”.

Ditë më parë Marko Gjuriqit i është ndaluar hyrja në Kosovë me një vendim të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Gjuriq ka deklaruar se është në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorinë e Serbisë, “për arsye të përpjekjeve të disa përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme në Kosovë që ta pengojnë lirinë e lëvizjes, me ç’gjë i kanë thyer ligjet e Serbisë”.

“Ka indikacione që Enver Hoxhaj, Edita Tahiri dhe disa persona tjerë nga Prishtina, janë përfshirë në tentimin e pengimit të lëvizjes së lirë të zyrtarëve dhe qytetarëve të Serbisë.Organet tona shtetërore do të ndërmarrin masa për këtë gjë”, citohet të ketë thënë Gjuriq.

Vendimi për ndalimin e Gjuriqit që të hyjë në Kosovë, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj e ka marrë në konsultim me kryeministrin Isa Mustafa dhe organet e sigurisë në Kosovë. Zyrtarëve tjerë serbë që kanë planifikuar që ta vizitojnë veriun e Kosovës u është lejuar vizita.

 
Top