Satmifer Kryeziu shef i grupit të këshilltarëve të AKR-së në Kamenicë ka reaguar ndaj një debati të dy këshilltarëve të PDK-së në asamblenë komunale. Kamenica po përballet me vështirësi të mëdha buxhetore, nevojat për realizim të projekteve janë mjaft të mëdha, dhe në këto dy çështje duhet të fokusohet e tërë energjia e asambleistëve dhe ajo e ekzekutivit të komunës ka thënë ai.
Reagimi i plotë i Satmifer Kryeziut
Në emër të Grupi të delegatëve të AKR-së në Kuvendin Komunal të Kamenicës, shprehim indinjatën dhe hidhërimin tonë për gjuhën joparlamentare të përdorur brenda institucionit më të lartë në komunë nga delegatë të partisë që udhëheq me komunën.
Çështjet dhe konfliktet brenda subjekteve politike nuk duhet të barten në Kuvend, dhe të kenë reflektime brenda këtij institucioni.
Kamenica po përballet me vështirësi të mëdha buxhetore, nevojat për realizim të projekteve janë mjaft të mëdha, dhe në këto dy çështje duhet të fokusohet e tërë energjia e asambleistëve dhe ajo e ekzekutivit të komunës.
Shprehje si ato që dëgjuam dje në Kuvendin Komunal nuk do të dëshironim të dëgjohen në të ardhmen dhe i bëjmë thirrje edhe Kryesuesit të Kuvendit Komunal që të jetë në nivelin e detyrës së tij.
Satmifer Kryeziu, shef i grupit të këshilltarëve të AKR-së në KK Kamenicë
Edhe një reagim nga drejtoria e Arsimit
Duke u bazuar në rrjedhat e mbledhjes së Kuvendit Komunal në Kamenicë, mbajtur më 31.10. 2016 në pikën: 4. Njoftim lidhur me Vitin e Ri Shkollor 2016/17 reagojmë për shkak të paraqitjeve të dy anëtarëve të kuvendit komunal: Florim Kryeziut dhe Isuf Beqirit.
1. Së pari konsiderojmë se njoftimi për fillimin e viti të ri shkollor, nuk përkon me kohën sepse, kjo pikë është dashur të realizohej në muajin shtator;
2. Duke pasur parasysh faktin që arsimi është specifik, duhen edhe informatat e raportet të jenë në përputhje me zhvillimin e procesit mësimor në arsimin parauniversitar e jo sipas tekave të kujtdo qoftë;
3. Duke mos pasur synim mbylljen e gojës së asnjë përfaqësuesi, pa marrë parasysh fjalëve që janë thënë në kuvend, ne nuk kemi reaguar asnjë herë, sepse jemi nisur në maksimen, se kritikat ndikojnë në përmirësimin e punës sonë në këtë institucion;
4. Kësaj radhe reagojmë për shkaqe parimore, sepse për arsimin nuk mund të flasin njerëzit pa asnjë kompetencë profesionale; prandaj:
Hedhim poshtë si të pabaza akuzat e këtyre dy delegatëve, sepse pranimi mësimdhënësve është bërë me konkurs e jo pa konkurs; nuk kemi asnjë rast të largimit nga procesi mësimor të asnjë mësimdhënësi e lëre më të ndonjë të kualifikuari me graden master.
Drejtorët e emëruar u janë nënshtruar procedurave të rregullta ligjore, intervistave në zyrat e DKA-së, me pjesëmarrjen e përfaqësuesit nga MASHT-i e jo në kafene;
Është e pasaktë se Shkolla e Mesme e Lartë Mikse në Rogaçicë po shkatërrohet, është një kualifikim shumë i pa bazë.
Probleme të natyrës teknike ka pasur, ka dhe do të ketë në vazhdimësi, por konsiderojmë se qasja kritike pa ngarkesa të energjive negative do të na ndihmojë gjithmonë.
Gjithashtu DKA me stafin e sajë punët dhe detyrat e përditshme të punës i realizon sipas standardeve të kërkuara dhe në harmoni me legjislacionin arsimor në fuqi dhe me një bashkëpunim shumë të mirë dhe efikas në relacionin kryetar i komunës- ekzekutivi dhe MASHT-i thuhet në reagim./rajonipress/
