Shkruan Burim Kryeziu
Kosova duhet të orientohet kah shteti social.
Në përgjithësi shtetet e dobëta dhe të pafuqishme, nga pikëpamja ekonomike, po përballen me vështirësi të ndryshme.
Këto shtete, nuk janë në gjendje t’i përballojnë kërkesat që po i shtrojnë rrjedhat e kohës, e gjithashtu Kosova duhet të përshtatet edhe me kërkesat që po i shtrojnë, qoftë kushtet e privatizimit dhe të ekonomisë së tregut nga njëra anë dhe për mënjanimin e shkaqeve dhe të pasojave të varfërisë, e të pasigurisë së qytetarëve të saj nga ana tjetër.
Këto objektiva mund të arrihen, me ndërmarrjen e veprimeve nën të ashtuquajturën ‘’politikë sociale’’, me të cilën pretendohet ‘’përtëritja ekonomike, politike dhe morale’’.
Të tre këto komponentë ekonomikë, politikë dhe moral përbëjnë esencën substanciale të kualifikimit dhe orientimit të një shteti në grupin e shteteve sociale.
Andaj, nga pikëpamja ekonomike: shteti është social kur synon, zgjerimin e sigurisë të të ardhurave dhe të sigurisë në punësim’’;
Nga pikëpamja politike: shteti është shtet social, kur synon forcimin e demokracisë dhe forcimin e kombit;
Kurse, nga pikëpamja morale: shteti është social, kur synon të mbrojë idenë e drejtësisë sociale, të solidaritetit dhe të universalitetit’’.
Problemet sociale, në Kosovë në vend se të zvogëlohen, ato në fakt po rriten dhe për pasojë, po rritet konkurenca midis grupeve të varfëra të shoqërisë për punë dhe shërbime sociale, kështu që Kosovës i duhet ‘’orientimi social-shteti social’’, për zvogëlimin e dallimeve dhe problemeve të tjera sociale.