Moti

Nëse ju rastësis të kaloni te korridoret e departamentit të gazetarisë në fakultetin filologjik, me gjasë do t’ju bie në sy një grua në moshë, me flokë të bardha e sy të gjelbër të mëdhenj, e cila qëndron e ulur në karriget përballë sallave ku mbahen ligjëratat.

Kjo grua rri ulur aty, edhe fizikisht e, edhe me shikim derisa të dalin studentët nga sallat. Është pikërisht kjo grua, Nurie Berisha, që është bërë drita e syve e vajzës së saj të verbër, Lumnijes.

Lumnija 33 vjece nga Kamenica, e cila më priti në këmbë në banesën ku banon me nënën e saj, tashmë po ndjek studimet në vitin e parë të departamentit të gazetarisë. Nëna Nurie më tregon se Lumja ka humbur shikim në moshën 3 vjeç e gjysmë, si pasojë e një aksidenti. Që nga ajo kohë, jeta e të dyjave ka ndryshuar përgjithnjë. Ndërkohë edhe Lumja kthehet mbrapa në kohë dhe më tregon se me përkujdesjen e vazhdueshme të nënës Nurie, në moshën 6 vjeçe kishte filluar mësimin në Shkollën Speciale për të Verbër në Pejë.

Lumja flokëzezë tregon se krahas kukullave, ajo kishte marrë gjithnjë edhe abetaren me vete, duke menduar që edhe ajo si të tjerët fëmijë, do ta mësojë alfabetin në të; por kur i kishin treguar mësimdhënësit se ajo do të mësojë një alfabet tjetër, atë Brajl, kishte qenë ballafaqimi i saj i parë më realitetin. Lumja, sy të të gjelbër në të kaftë dhe me buzë as të holla as të trasha, më tregon se ka vazhduar shkollimin në atë shkollë për 11 vite rresht dhe pas asaj kohe, ka marrë pjesë vazhdimisht në trajnime speciale për personat me nevoja të veçanta, ku edhe është licencuar si trajnere e shkrimit Brajl për rajonin e Gjilanit.

Teksa kërkon me duar fletët ku ka shkruar, më thotë se ajo është e mishëruar me shkrimin Brajl dhe se kjo i ka mundësuar që t’u mësojë njerëzve në nevojë këtë shkrim, bile këtë e ka bërë pa pagesë për tre persona. “Kam qejf me ua çelë njerëzve dritaren.” Thotë ajo. Pas tri përpjekjeve të dështuara për t’u regjistruar në fakultetin juridik gjatë periudhës së viteve 2001 – 2003, ajo më në fund është bërë pjesë e gjeneratës së re të studentëve të gazetarisë, ndonëse jo pa vështirësi, nëna Nurie tregon se u është dashur të vinë rreth 17 herë në rektorat për të marrë dokumentacionin e nevojshëm. Ndërkaq, kthesa që ka marrë nga juridiku në gazetari, sipas saj, është bërë falë praktikave në radiot lokale, ku më pas e kanë udhëzuar ta ndjekë gazetarinë.

Por, tregimi për Lumen nuk përfundon këtu; herën e parë kur më treguan kolegët e saj për të dhe mënyrën se si ajo ndjek të gjitha ligjëratat e shoqëruar me nënën e saj, e cila e pret jasht sallës aq sa zgjatë ligjërata, po ashtu për atë që ajo është shumë aktive në ushtrime dhe se e udhëheq një vullnet i pabesueshëm, më tërhoqi menjëherë, me gjasë deri atje ku isha unë, vullneti i saj rrezatonte.

Lumja më pas më tregon se problemi i saj i vetëm është literatura, asaj i duhet të rrijë deri në orët e vona të natës për të shkruar të gjitha mësimet në Brajl, duke ndjekur zërin e nënës Nurie, e cila ia lexon të gjitha ato që duhen. Por, ajo tashmë ka dërguar një pjesë të literaturës, e cila i është mundësuar në formë elektronike, në Shkollën Speciale për të Verbër në Pejë për t’ia përgatitur në shkrimin Brajl. Lumnija duket se nuk brengoset për koston që i duhet paguar për këtë literaturë, ani pse nëna Nurie më përmend gjendjen e rëndë ekonomike të tyre, por Lumja ka një qëllim sublim.

Ajo librat e përgatitur në shkrimin Brajl, do t’i lërë në fakultet pasi ta përfundojë, që kur të vinë të tjerët të mos kenë probleme me literaturë si ajo. Në anën tjetër, nëna Nurie po thur një kapele të kuqe fëmijësh ndërsa na dëgjon duke biseduar dhe herë pas here hyn në bisedë, i kërkon falje Lumes që ka harruar të më tregojë diçka. Nëna Nurie flokëbardhë e Lumja flokëzezë, ngjajnë si dy studente të ngazëllyera, bëjnë shaka e qeshin bashkë. Ato

janë të pandashme, sa gjumë ka Lumja, aq ka edhe nëna Nurie, sa detyra ka njëra, aq ka edhe tjetra. Nëna Nurie thotë se vullneti i së bijës e ka bërë që të mos heqë dorë, ndonëse ka përballuar vështirësi të shumta.

Lumja, më flet për ngjyrat thua se i sheh, është tejet e vështire, në jo e pamundur të dallohet se nuk sheh, bile ajo më ngjante se sheh me të gjitha shqisat. Ajo më thotë se ndihen tepër e kënaqur që është nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës. “Ka marrë jeta kuptim. Pe di për çka po mundohem. Edhe pse po lodhem, lodhja ka një kuptim.”

Ndërkohë Lumes po i çelen dyert e jetës, ajo tashmë po udhëheq një emision në Radio 2, “Për një botë më ndryshe”, çdo të marte gjatë orës 21 – 21:30. Punën në radio e cilëson si të veçantë, pasi thotë se gjatë transmetimit direkt duhet të kesh shkathtësinë dhe vëmendjen maksimale për të krijuar afërsi me “mbretin” dëgjues. Megjithatë, ajo ka dëshirë ta sprovojë vetën edhe në TV. Lumja në vitin 2011, ka marrë pjesë në një trajnim mbi ndërmarrësinë të financuar nga Komisioni Europian, aty me biznes planin e saj, Lumja ka fituar vendin e parë duke u shpërblyer me të holla. Por, ato para sot e asaj dite janë të paprekura thotë Lumja, pasi nuk ka biznes ajo po pret të ketë një arsye të fortë për t’i shpenzuar.

“Momenti më i kënaqshëm për mua do të jetë kur të arrijë ta përfundoj semestrin e parë.” më thotë Lumja, duke falënderuar kolegët dhe profesorët për mënyrën se si e respektojnë dëshirën e saj për të mos u trajtuar ndryshe dhe kujdesin që kanë ndaj saj. Edhe pse profesorët kanë dashur ta lirojnë nga ushtrimet, ajo ka refuzuar duke mos dashur të dallohet. Ajo dëshiron të ndihet e dobishme në shoqëri, kështu duke i përfunduar studimet dhe duke marrë një titull! “Gjithçka është e vecantë është e bukur. E bukur për mu është me i përfundu studimet, me mrri një titull, me ni vetën të dobishme për shoqëri.”

Krejt në fund, Lumja më tregon për ëndrrën e saj më të madhe. Më tregon për një projekt që po mundohet të realizohet në Amerikë, projekti “syri biokinik” mundëson që t’i shpëtojë nga verbëria ata që ende nuk e kanë humbur plotësisht shikimin, si dhe ata që kanë ndonjë sëmundje që i paraprinë verbërisë. Realizimi i këtij projekti në një të ardhme, është ëndrra e Lumes.

Për ta përforcuar bindjen time se kurrë nuk kam takuar një njeri si ajo, e cila ka pranuar vetën në çdo centimetër të saj dhe është integruar plotësisht në shoqërinë tonë, kërkova profilin e saj në Facebook, pasi më tregoi se mund të komunikonim edhe aty duke qenë se nëna Nurie menaxhonte atë profil, profili i saj ishte një profil i zakonshëm, me fotografi me të afërm e duke vallëzuar.

Lumja, e palodhshmja, portreti i forcës së vullnetit dhe punës së vazhdueshme. Lumja sheh më shumë se ne të gjithë, sheh botën me sy të mendjes, asaj nuk ka se si i bën përshtypje tendenca jonë për t’u dukur bukur, para saj ju do të ndiheshit ata që jeni, të zhveshur nga rrobat me markë, nga grimi, nga pamja elegante dhe e bukur. Ajo dëgjon vetëm zërin dhe ju njeh nga ajo që bëno. Prapa a përkrah Lumes, rri nëna e saj, ajo “puro” nënë që mishëron humanitetin dhe forcën për të mos u ndalur kurrë. Autore /Gentianë Paçarizi
 
Top