Gjithsej 84 fëmijë në komunën e Kamenicës janë bërë synet (cirkumcizion) para dy ditësh nga një ekip mjekësh nga Turqia, që nuk kanë marrë kurrfarë licence në Ministri të Shëndetësisë për ta ushtruar veprimtarinë shëndetësore në Kosovë.
Kjo situatë ka zënë në “gjumë” institucionet për mbikëqyrjen e respektimin e Ligjit të Shëndetësisë, të cilat kanë reaguar tek pasi informacionet për këtë çështje i kanë marrë nga gazetarët e “Zërit”.
Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Kamenicës, Agim Bucolli, ka konfirmuar se një ekip prej nëntë personave kanë kryer synetitë, në organizim të një hoxhe.
Sipas Bucollit, intervenimet janë kryer në Ambulancën e Kamenicës, derisa ai nuk është në dijeni nëse mjekët kanë qenë të licencuar në Ministri të Shëndetësisë.