Tregu i Kosovës është i mbushur përplot me produkte të qumështit të cilat nuk përmbajnë përbërje nga qumështi. Janë identifikuar më shumë se 30 lloje të djathërave, të cilat nuk janë djathëra por prodhohen nga yndyra të ndryshme bimore si, mielli i sojës, vaji i palmës, amidoni e substanca të ndryshme.
Madje të këto djathëra të cilat përmbajnë vajin e palmës dhe shiten në tregjet tona, në vendet e regjionit ky është përdorur në industrinë kozmetike për prodhimin e produkteve kozmetike.
Konsumimi i këtyre produkteve të deklaruara si djathëra janë të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve duke shkaktuar bllokim të enëve të gjakut, rritjen e tensionit dhe kanë lidhje me paraqitjen e infarkteve të ndryshme.
Këto shqetësime i ka ngritur Ramadan Memaj, kryetar i shoqatës së përpunuesve të qumështit para deputetëve në Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, gjatë shqyrtimit të problemeve rreth qumështit dhe patates me përfaqësues të këtyre prodhimeve.
Memaj ka theksuar se sektori i përpunuesve të qumështit është duke u ballafaquar me probleme të ndryshme dhe se nga viti i kaluar janë edhe më shumë si pasojë e mungesës së zbatimit të ligjit që rregullon importin e produkteve shtazore, konkurrencës së padrejtë dhe keqpërdorimit të parasë publike.
“Tregu i Kosovës është i vërshuar me produkte që vijnë nga vende të ndryshme të regjionit dhe dëmet më të mëdha i shkaktojnë këtij sektori, sepse produktet nuk përmbajnë përbërje nga qumështi”, ka thënë ai.
Memaj ka akuzuar Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit (AUV) dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) që lejojnë importin e këtyre produkteve në vendin tonë në bazë të një rregulloreje me nr.18/2013, e cila rregullon importin e produkteve me origjinë shtazore.
“Kjo rregullore është duke u shfrytëzuar për të lejuar importin e produkteve tjera të cilat nuk kanë përmbajtje të qumështit. Në këtë formë i është dhënë mundësi dhe hapësirë prodhuesve të ndryshëm nga vendet në regjion që në paketime të futin atë që e dëshirojnë, pa asnjë lloj kriteri që përcakton mënyra e importit.
Kemi të bëjmë më një shkelje flagrante të ligjit, e cila jo vetëm që e dëmton buxhetin e Kosovës, por e prish konkurrencën e barabartë duke ua bërë të pamundur prodhuesve dhe përpunuesve vendor që të jenë konkurrentë me produkte të tyre”, ka theksuar Memaj.
Ai ka shpjeguar se Agjencia e Veterinës i ka marrë disa verime simbolike vitin e kaluar duke sjellë vendimin për ndalimin e produkteve të 5 fabrikave të vendeve të regjionit, të cilat kanë bërë deklarim të rrejshëm të prodhimeve, prej tyre 2 kompani janë nga Hungaria, 2 nga Bullgaria dhe një nga Maqedonia.
Mirëpo, ai ka ngre shqetësimin se edhe përkundër këtij vendimi, produkte të tilla nuk janë tërhequr nga tregu, nuk janë ndaluar që të importohen në Kosovë, por ato kanë vazhduar lirshëm që të importohen dhe të shiten në tregun e Kosovës.
Ai ka përmendur kompanitë si: “ETC”, “Gllareva”, “Koreal”, “Delfin” të cilat bëjnë importin e këtyre produkteve të qumështit e të cilat më pas i plasojnë edhe në marketet e tyre zinxhirore.
Anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, janë dakorduar që kjo çështje të ngritët në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës në mënyrë që të gjendet një zgjidhje.
Madje ata kanë premtuar se para se të shkojë kjo çështje në Kuvend do t’i thërrasin për diskutim ministrat e ministrive që janë të ndërlidhura me rregullimin e kësaj çështje.
Do të ftojnë në takim ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, atë të Bujqësisë, ministrin e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe atë të Shëndetësisë. /Kosovalive/