Moti

Serbët nganjëherë janë edhe për keqardhje! Një pjesë e mirë e tyre ende besojnë se janë populli më i vjetër në Ballkan.

Madje kanë libra shkencorë të pseudo-historianëve të tyre që përpiqen të “argumentojnë” se edhe “Adami dhe Eva flisnin serbisht”, se “serbët janë kombi më i vjetër në rruzullin tokësor”, dhe se “prej kombit serb lindën kombet dhe gjuhët tjera”. Por kohën e fundit shihet përpjekja që “kombi hyjnor” të zbres shkallëve teposhte, të prekë realitetin.

Në librin e historisë për klasën e VI-të shkruan: Sllavët e vjetër ishin pritur në Gadishullin Ballkanik nga Ilirët vendas, të cilët më pas u shpërndanë në disa fise, dhe njëri prej këtyre fiseve mbijetoi.

Popujt e Evropës Perëndimore, në shekullin XX-të, këtë fis e njohën me emrin Shqiptar.

Ky libër i autorit Radeta Mihalçiq, për nxënësit e klasave të gjashta të shkollave fillore në Republikën e Serbisë, vazhdon të mbetet temë për opinionin publik serb, pasi në të thuhet se shqiptarët janë vendas të këtij gadishulli, dhe se kanë ardhur në Ballkan shumë më përpara se sa Sllavët.

“Për të qenë më të qartë, jemi duke folur për Ilirët, fiset ilire, me shkallë të ndryshme civilizimi, që populluan Ballkanin Perëndimor dhe prej të cilëve rrjedhin edhe Shqiptarët, siç u njohën edhe nga popujt dhe vendet e Evropës Perëndimore”, shkruan të hënën e përditshmja serbe Telegraf.rs, e cila edhe vet e ka vështirë për të pranuar “rishikimin e historisë”, ani pse, përsëri i shtrembëruar.

Në këtë libër, në leksionin “Sllavët e jugut dhe vendasit”, në mes të tjerash thuhet:
“Megjithëkëtë, vendësit që kanë jetuar së bashku në grupe më të mëdha nuk u sllavizuan. Shqiptarët ruajtën gjuhën, doket, zakonet dhe simbolet tjera të tyre kombëtare. Një pjesë e sllovenëve të ardhur pranoi gjuhën dhe zakonet e shqiptarëve dhe u asimilua”, transmeton e përditshmja serbe citatin nga ky libër.

Redaktori në Institutin për tekstet shkollore të historisë, Nebojsha Jovanoviq, shpjegon “dilemën” me të cilën një pjesë e serbëve assesi nuk mund ta pranojnë, pasi disa prej tyre besojnë se edhe Adami dhe Eva flisnin serbisht.

“Në publik është folur shpesh, në kuptimin pozitiv apo negativ, rreth nevojës për rishikimin e historisë. Disa janë të frikësuar dhe e dënojnë çdo përpjekje për të rishikuar historinë, ndërsa të tjerët shtrojnë nevojën që më në fund të diskutohen disa gjëra, të shkruhen saktë dhe të flitet me ndershmëri. Është edhe pala e tretë që abuzon me këtë situatë duke e paraqitur atë sikur ‘historia do të kthehet me kokë teposhtë’”, ka thënë Jovanovic për Telegraf.rs.

Jovanoviq ka thënë se është duke iu referuar librit të historisë, e jo disa librave shkencorë, me të cilat, sipas tij është bërë përpjekje që me pseudo-histori e teza të ndryshme të tregojnë se “serbët ishin njerëzit më të vjetër, që madje Adami dhe Eva ishin serbë dhe flisnin serbisht, dhe që nga kombi serb dhe serbët lindën të gjithë popujt dhe gjuhët tjera që ekzistojnë në ditët e sotme”.

“Ne jemi një komb që është krenare për historinë e tij të lavdishme dhe kemi rastin që për këtë të dëgjojmë diskutime të hapura dhe shumë të nxehta në rrugë, në një bar, në tubime dhe festime. Por kur diskutohet kjo temë, të vetmit që heshtin janë historianët, sepse ata nuk i pyet askush asgjë dhe librat e tyre nuk i lexon askush. Shumë herë kam qenë dëshmitar në situata të tilla, shumë herë jam bindur se literatura kryesore e këtyre historianëve është ‘interpretimi’ i historisë, lëndë në të cilën ata vet dikur janë vlerësuar me një dysh”, ka thënë Jovanoviq.

“Kur këta njerëz marrin në dorë librin e mësimit të fëmijëve të tyre, ata me të vërtetë e kuptojnë se disa mësime kanë ndryshuar. Megjithatë, përshtypje të këtillë do të kenë edhe ata që kishin pesë në histori. Sepse, disa mësime nga historia me të vërtetë kanë ndryshuar. Për shembull, sot në tekstet shkollore të historisë mësohet shumë më shumë rreth Luftës së Parë Botërore se që mësoj më parë, kur e tërë Lufta e Parë Botërore përshkruhej, mësohej, në një orë mësimi”, ka thënë Jovanoviq, duke shtuar se ndryshime në të shkruarit e historisë ka pasur edhe kur bëhet fjalë për Luftën e Dytë Botërore.

Por Telegraf.rs e ka vështirë të pajtohet dhe vazhdon të komentojë librin, i cili thotë gjysëm të vërtetën.
“T’iu kthehemi edhe njëherë shqiptarëve. Pra kur arritën serbët në Gadishullin Ballkanik, ata gjetën Ilirët. Ky popull i quajtur Ilir u nda në fise dhe njërin prej tyre Evropa Perëndimore në shekullin XX i quajti ‘Albanians’. Ata e quajnë veten e tyre ‘Shqiptarë’, dhe nga këtu rrjedh emërtimi ‘Shiptari’, kur atyre iu referohen serbët”, shkruan Telegraf.rs, transmeton lajmi.net.

“Duhet të theksohet se shqiptarët (gjoja fisi shqiptar) në historinë e tyre të gjatë, ndryshe nga pjesa tjetër e ilirëve që kishin shtetin dhe qeverinë e tyre, madje edhe mbretër (Mbretëreshën Teutë, me kryeqytetin e saj në Risan, etj), nuk përbënin një komb kushtetues, dhe në këtë drejtim ata u emancipuan vetëm në shekullin e XX-të”, komenton e shokuar dhe e zhgënjyer Telegraf.rs.

(Në shqip telegrafi.com)

 
Top